Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e ka cilësuar joserioze kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që Ligji për Dhomat e Specializuara të kthehet në Kuvend për rishqyrtim.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Haxhiu ka thënë se ligji tashmë është miratuar me dy të tretat e votave në Kuvend dhe se vëmendja duhet të përqendrohet te procesi i apelit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Për mua kjo është temë joserioze. Jo veç që është votuar ky ligj me dy të tretat e votave në Kuvend, mirëpo kemi përpara një proces deri ën Apel të çlirimtarëve në Hagë. Ka shumë punë për të bërë. Aleanca e ka dhënë kontributin e vet, do ta jap gjithmonë. Mirëpo kthimi prapa nuk është serioz. Megjithatë duhet të japim maksimumin për një punë edhe në ekipin punues që është formuar, edhe Aleanca e ka përfaqësuesin e vet. Por, mbi të gjitha si shtet duhet të punohet shumë deri në Apel, me financa, me mbështetje juridike e gjithçka që kërkohet prej shtetit”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Aleanca ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontributin e saj, duke përmendur edhe përfaqësimin e kësaj partie në ekipin punues të formuar për këtë çështje.
Sipas Haxhiut, institucionet duhet të përqendrohen në sigurimin e financave dhe mbështetjes juridike për procesin e apelit, si dhe në të gjitha nevojat që mund të paraqiten gjatë këtij procesi.
“Si kthim prapa nuk është serioze dhe kjo duhej të ndodhte në Kuvend”, ka thënë ajo.
Burimi: Dukagjini
