Haxhiu takon eurodeputetët, kërkon mbështetje për avancimin drejt BE-së

Haxhiu takon eurodeputetët, kërkon mbështetje për avancimin drejt BE-së

Written by

in

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka takuar eurodeputetët Lukas Mandl, Matjaž Nemec, Thijs Reuten dhe Adnan Dibrani, nga të cilët ka kërkuar mbështetje për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimeve, Haxhiu ka theksuar se Kosova nuk kërkon trajtim të veçantë, por një proces të drejtë dhe vlerësim në bazë të meritave, me të njëjtat kritere që zbatohen për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Haxhiu i ka falënderuar eurodeputetët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për Kosovën, përfshirë reagimin lidhur me këngën në hapjen e Forumit të Zgjerimit, për të cilën Mandl ka parashtruar edhe një pyetje parlamentare.

Gjatë takimeve është diskutuar edhe për ligjet që Kuvendi po i shqyrton në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, si dhe për rëndësinë e miratimit të tyre në procesin e integrimit evropian.

Haxhiu ka bërë të ditur se nga eurodeputetët ka kërkuar mbështetje që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të shqyrtohet në Këshillin e BE-së, si dhe angazhim pranë pesë shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndërkaq, eurodeputeti Thijs Reuten, ish-raportues i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave, e ka njoftuar Haxhiun për përpjekjet që ka bërë edhe në këtë drejtim, sipas njoftimit të Kuvendit. 

Burimi: RTKLive