Aktorja amerikane Hayden Panettiere ka lënë pas një pasuri të vlerësuar në më shumë se 6.2 milionë dollarë (rreth 5.3 milionë euro), e cila pritet t’i kalojë vajzës së saj 11-vjeçare, Kaya. Këtë e bëjnë të ditur dokumentet e reja gjyqësore të publikuara nga mediat amerikane.
Sipas dokumenteve, vlera e përgjithshme e pasurisë së aktores arrin në 6.232.119 dollarë (rreth 5.3 milionë euro). Prej kësaj shume, rreth 5.2 milionë dollarë (4.4 milionë euro) përbëhen nga pasuria personale, ndërsa vlera e pronave të paluajtshme kap shifrën e mbi një milion dollarëve (rreth 850 mijë euro).
Ish-i fejuari i saj dhe babai i vajzës, boksieri ukrainas Wladimir Klitschko, i është drejtuar gjykatës me kërkesën që këshilltarja financiare Melissa Moskal Bencivenga të emërohet administratore e pasurisë së aktores.
Foto: Getty Images
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Panettiere nuk kishte lënë testament, ndërsa Kaya është identifikuar si trashëgimtarja e vetme e pasurisë së saj. Megjithatë, për shkak se vajza është ende e mitur, nevojiten masa të posaçme për të siguruar administrimin e duhur të trashëgimisë deri në momentin kur ajo të arrijë moshën madhore dhe të mund ta menaxhojë vetë pasurinë.
Klitschko kishte marrë më herët kujdestarinë e përkohshme mbi pasurinë e vajzës së tij. Ai gjithashtu kishte shprehur shqetësime në gjykatë për zhdukjen e disa sendeve që i përkisnin aktores, përfshirë bizhuteritë. Për këtë arsye, ai ka kërkuar edhe masa shtesë për mbrojtjen e pasurisë së lënë pas nga ish-partnerja e tij.
Hayden Panettiere ndërroi jetë më 16 gusht të këtij viti, në moshën 36-vjeçare. Ajo ishte e njohur për rolet e saj në serialet televizive “Heroes” dhe “Nashville”, si dhe për paraqitjet në serinë e filmave “Scream”.
Sipas rezultateve të hetimeve, shkaku i vdekjes së saj ishte efekti toksik i fentanilit dhe medikamenteve të tjera. Vdekja u klasifikua si aksidentale, ndërsa policia e përfundoi hetimin në muajin tetor. /Telegrafi/