Hekurudhat zvicerane synojnë të përdorin robotë për mirëmbajtjen e tunelit të Gotthardit, testimet kanë nisur

Hekurudhat zvicerane synojnë të përdorin robotë për mirëmbajtjen e tunelit të Gotthardit, testimet kanë nisur

Written by

in

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) po testojnë përdorimin e robotëve për mirëmbajtjen e tunelit bazë të Gotthardit, një prej tuneleve më të gjata hekurudhore në botë.

Projekti synon të lehtësojë punën e teknikëve, të identifikojë më shpejt defektet dhe të mundësojë kryerjen e disa kontrolleve edhe jashtë orareve të zakonshme të mirëmbajtjes.

Sipas gazetës zvicerane Corriere del Ticino, projekti po zhvillohet në bashkëpunim me Institutin Federal të Teknologjisë në Cyrih (ETH) dhe ka nisur që në vitin 2018. Testimet janë prezantuar në qendrën e mirëmbajtjes dhe ndërhyrjes së hekurudhave në Biasca, ku është demonstruar funksionimi i një roboti katërkëmbësh, të pajisur me një krah mekanik.

Roboti, i quajtur jozyrtarisht “Donkey”, është në gjendje të lëvizë nëpër sipërfaqe të vështira, të arrijë te dollapët teknikë, t’i hapë ata dhe të aktivizojë valvula. Ai kontrollohet nga distanca nga një operator, përmes kamerave, sensorëve dhe pajisjeve të posaçme, të cilat transmetojnë pamjet dhe informacionin në kohë reale.

Nevoja për këtë teknologji lidhet me kushtet e vështira të punës në tunelin e Gotthardit, i cili ka një gjatësi prej 57 kilometrash, transmeton Telegrafi.

Hapësirat janë të ngushta, temperaturat të larta dhe pluhuri i krijuar nga qarkullimi i trenave e vështirëson punën e personelit. Aktualisht, ndërhyrjet e mirëmbajtjes mund të kryhen vetëm gjatë periudhave të kufizuara, kryesisht në netët e fundjavës, kur njëri nga tubat e tunelit mund të mbyllet përkohësisht.

Përmes përdorimit të robotëve, SBB synon që teknikët të mund të kontrollojnë nga distanca pajisjet dhe të identifikojnë problemet edhe jashtë këtyre orareve.

Në këtë mënyrë, kur tuneli të mbyllet për mirëmbajtje, punonjësit do të kenë informacion më të saktë për defektet dhe do të mund të ndërhyjnë drejtpërdrejt në pjesët që kanë nevojë për riparim.

Megjithatë, autoritetet hekurudhore theksojnë se qëllimi nuk është zëvendësimi i punonjësve me makina.

Roboti do të shërbejë si ndihmë për teknikët, ndërsa punët më të ndërlikuara, përfshirë zëvendësimin e plotë të pajisjeve dhe komponentëve teknikë, do të vazhdojnë të kryhen nga njerëzit.

Projekti financohet nga SBB me rreth 1 milion franga në vit, ndërsa bashkëpunimi me ETH Cyrih pritet të vazhdojë të paktën deri në vitin 2032.

Megjithatë, përdorimi i robotëve në tunelin e Gotthardit në kushte reale nuk pritet të ndodhë menjëherë.

Sipas përgjegjësve të projektit, mund të nevojiten edhe 5 deri në 10 vjet përpara se kjo teknologji të jetë gati për përdorim të rregullt./Telegrafi/