Helmi në rrugët e Mitrovicës: Qentë janë viktimat e para, por në rrezik janë edhe fëmijët

Helmi në rrugët e Mitrovicës: Qentë janë viktimat e para, por në rrezik janë edhe fëmijët

Written by

in

Dyshimet për përdorimin e pesticideve shumë toksike ngrenë një pyetje shqetësuese: Kush tjetër mund të jetë ekspozuar dhe si po përfundojnë këto substanca në hapësira publike?

Dr. Sci. Mexhit Musa
Specialist i kimisë toksikologjike

Rastet e përsëritura të ngordhjes së qenve endacakë në Mitrovicë nuk duhet të konsiderohen vetëm si çështje e mirëqenies së kafshëve. Nëse dyshimet për përdorimin e substancave toksike vërtetohen nga analizat laboratorike, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz të shëndetit publik dhe të sigurisë së qytetarëve.

Fotografitë dhe raportimet e qytetarëve tregojnë qen të ngordhur pranë trotuareve, lagjeve të banuara, rrugëve publike, madje edhe në afërsi të shkollave dhe zonave ku lëvizin fëmijët. Në disa raste vërehet material shkumues pranë gojës së kafshëve, një gjetje që mund të shoqërojë forma të ndryshme të helmimeve akute. Megjithatë, shkaku i saktë mund të përcaktohet vetëm përmes analizave laboratorike veterinare dhe toksikologjike.

Ky nuk është rasti i parë. Në muajin maj të vitit 2025, Mitrovica u përball me raste të ngjashme të helmimit të qenve endacakë, ku dyshimet u orientuan drejt carbofuranit. Në rastet më të fundit të raportuara, dyshimet po drejtohen drejt methomyl-it, një pesticid me toksicitet shumë të lartë. Megjithatë, deri në publikimin e rezultateve zyrtare laboratorike, asnjë substancë nuk mund të konsiderohet e konfirmuar.

Nga aspekti toksikologjik, si carbofurani, ashtu edhe methomyl-i i përkasin grupit të pesticideve karbamate dhe veprojnë duke inhibuar enzimën acetilkolinesterazë, e cila është thelbësore për funksionimin normal të sistemit nervor. Kur kjo enzimë bllokohet, në organizëm grumbullohet acetilkolinë në sasi të tepërt, duke shkaktuar stimulim të pakontrolluar të nervave, muskujve dhe organeve vitale.

Pasojat e ekspozimit ndaj këtyre substancave mund të jenë shumë serioze. Simptomat e helmimit mund të përfshijnë lotim të syve, pështymë të tepërt, djersitje, të përziera, të vjella, dhimbje barku dhe diarre. Në rastet më të rënda paraqiten ngushtim i bebëzave të syve, dridhje muskulore, dobësi e theksuar, vështirësi në frymëmarrje, konfuzion, konvulsione dhe humbje e vetëdijes. Ekspozimet e rënda mund të përfundojnë me paralizë të muskujve të frymëmarrjes, insuficiencë respiratore dhe vdekje.

Por shqetësimi më i madh nuk lidhet vetëm me kafshët. Nëse ushqime të kontaminuara me substanca të tilla vendosen në hapësira publike, atëherë rreziku prek drejtpërdrejt edhe njerëzit. Situata bëhet veçanërisht alarmante kur raste të tilla raportohen pranë shkollave, oborreve shkollore, këndeve të lojërave dhe zonave rekreative.

Fëmijët përbëjnë grupin më të rrezikuar. Për shkak të moshës, kureshtjes natyrore dhe peshës më të vogël trupore, ata janë më të ndjeshëm ndaj ekspozimeve aksidentale. Një fëmijë mund të prekë pa dijeni një karrem të hedhur në tokë, të bjerë në kontakt me mbetje të kontaminuara apo edhe me një kafshë të helmuar. Edhe sasi shumë të vogla të substancave me toksicitet të lartë mund të shkaktojnë pasoja të rënda shëndetësore.

Prandaj, çdo raportim për kafshë të ngordhura apo për ushqime të dyshimta në afërsi të institucioneve arsimore duhet të trajtohet me prioritet maksimal. Nuk mjafton vetëm largimi i trupave të kafshëve. Zona duhet të inspektohet, të sigurohet, të merren mostra për analiza laboratorike dhe të identifikohet burimi i mundshëm i kontaminimit.

Nga këndvështrimi profesional i toksikologjisë, pyetja kryesore nuk është vetëm se çfarë e ka vrarë kafshën, por edhe kush tjetër mund të jetë ekspozuar ndaj të njëjtës substancë. Kur helmime të dyshuara ndodhin në hapësira ku kalojnë çdo ditë qindra qytetarë, çështja nuk është më vetëm veterinare. Ajo shndërrohet në një problem të mirëfilltë të sigurisë publike dhe të shëndetit publik.

Për këtë arsye, kërkohet reagim i menjëhershëm dhe i koordinuar i institucioneve veterinare, shëndetësore, inspektuese dhe organeve të rendit. Vetëm përmes hetimeve profesionale, analizave laboratorike dhe identifikimit të përgjegjësve mund të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla dhe të mbrohet komuniteti.

Helmimi nuk mund dhe nuk duhet të jetë zgjidhje për menaxhimin e qenve endacakë. Zgjidhjet moderne dhe humane bazohen në sterilizim, vaksinim, strehim, identifikim dhe adoptim. Përdorimi i substancave toksike në hapësira publike krijon një kërcënim për kafshët, njerëzit dhe mjedisin.

Kur helmet përfundojnë pranë shkollave, problemi nuk është më vetëm te qentë e ngordhur. Atëherë në rrezik është çdo fëmijë që kalon në atë rrugë, çdo qytetar që jeton në atë lagje dhe vetë siguria e komunitetit.

Pikërisht për këtë arsye, çdo dyshim për përdorimin e helmeve në hapësira publike duhet të hetohet me seriozitet maksimal dhe të trajtohet si çështje me interes të lartë publik.

Një pyetje që kërkon përgjigje: Si po sigurohen këto substanca?

Përveç identifikimit të substancës së përdorur, një nga pyetjet më të rëndësishme që kërkon përgjigje nga institucionet është: Si po sigurohen këto substanca toksike dhe si po përfundojnë ato në hapësira publike?

Nëse analizat laboratorike konfirmojnë përdorimin e pesticideve me toksicitet të lartë, atëherë hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm te vendi ku janë gjetur kafshët e ngordhura. Duhet të hetohet edhe origjina e substancës, rruga e furnizimit dhe mënyra se si ajo ka përfunduar në duart e personave që e kanë përdorur.

Në shumë vende të Evropës, përdorimi i substancave shumë toksike si carbofurani është i ndaluar ose i kufizuar rreptësisht për shkak të rrezikut të lartë për njerëzit, kafshët dhe mjedisin. Nëse substanca të tilla vazhdojnë të shfaqen në terren, atëherë institucionet kompetente duhet të verifikojnë me seriozitet nëse kemi të bëjmë me posedim të kundërligjshëm, mbetje të produkteve të vjetra apo burime të tjera të paligjshme furnizimi.

Dështimi shumëvjeçar i institucioneve lokale

Po aq shqetësues sa vetë helmimet është edhe fakti se problemi i qenve endacakë në Mitrovicë dhe në shumë komuna të Kosovës është zvarritur për vite të tëra pa një zgjidhje të qëndrueshme.

Pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme nga pushtetet komunale ndër vite, qytetarët vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem. Në vend të programeve afatgjata të sterilizimit, strehimit, trajtimit veterinar, identifikimit dhe adoptimit të qenve endacakë, shpesh janë dëgjuar vetëm premtime që nuk kanë prodhuar rezultate të dukshme në terren.

Mungesa e një strategjie të qëndrueshme ka krijuar një situatë në të cilën vuajnë si qytetarët, ashtu edhe vetë kafshët. Kur institucionet nuk arrijnë të menaxhojnë problemin në mënyrë profesionale dhe humane, krijohet terren që individë të papërgjegjshëm të ndërmarrin veprime të paligjshme dhe të rrezikshme, siç janë helmimet.

Prandaj, përgjegjësia nuk duhet kërkuar vetëm te personat që mund të kenë kryer helmimet. Duhet të shtrohet edhe pyetja se pse për vite me radhë nuk janë ndërtuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin, strehimin dhe kontrollin e popullatës së qenve endacakë. Një problem i lënë pa zgjidhje për vite të tëra nuk është vetëm dështim administrativ, por rrezik i vazhdueshëm për sigurinë publike, shëndetin e qytetarëve dhe mirëqenien e kafshëve.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm se çfarë i ka vrarë qentë, por edhe kush i ka siguruar substancat e përdorura, si kanë përfunduar ato pranë shkollave dhe pse për vite me radhë problemi i qenve endacakë është trajtuar me premtime e jo me zgjidhje konkrete. Kur institucionet heshtin, rreziku për kafshët, fëmijët dhe shëndetin publik vetëm sa rritet. /Telegrafi/