“Hera e fundit që t’sho” – Gazetari denoncon kërcënimin në Facebook pas kritikave për asfaltin në Fushë Kosovë

“Hera e fundit që t’sho” – Gazetari denoncon kërcënimin në Facebook pas kritikave për asfaltin në Fushë Kosovë

Written by

in

“Hera e fundit që t’sho” – Gazetari denoncon kërcënimin në Facebook pas kritikave për asfaltin në Fushë Kosovë

Një postim kritik për punimet në rrugët e Fushë Kosovës ka përfunduar me një denoncim në Polici, pasi një gazetar i pavarur ka raportuar se është kërcënuar përmes Facebook-ut pas publikimit të komenteve të tij lidhur me zyrtarët komunalë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Arlind Imeri, 36 vjeçar është paraqitur në Stacionin Policor në Fushë Kosovë më 28 tetor, rreth orës 15:45, për të raportuar një koment që e ka konsideruar kërcënues.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rasti lidhet me një postim që gazetari kishte bërë më 25 tetor, pas hulumtimeve dhe kritikave të tij lidhur me punën e zyrtarëve komunalë.

Ai kishte shpërndarë një publikim të portalit KALLXO.com, me titullin “Rren”, që trajtonte pretendimet për trashësinë e asfaltit në Fushë Kosovë, duke e shoqëruar me një koment kritik ndaj një drejtori komunal dhe faqeve që kishin publikuar informacione për trashësinë prej 30 centimetrash.

Pas këtij postimi, nga një profil në Facebook me emrin “Edmond Pllana” është bërë një koment me fjalë fyese dhe kërcënuese.

“Ti ishe lop, okej vazhdo tani kqyrim na, o ti hajvan posto ti kurr mos u nal po me asi fjal e lun Çakarin e se lun hera e fundit qe tsho”, thuhet në komentin e raportuar në Polici.

Gazetari ka deklaruar se është ndier i kërcënuar nga këto fjalë, veçanërisht nga pjesa “hera e fundit që t’sho”, dhe ka kërkuar trajtimin e rastit nga autoritetet.

Për incidentin janë njoftuar njësitë përkatëse policore, përfshirë njësinë e kibernetikës, pasi komunikimi ka ndodhur në rrjetin social Facebook.

Megjithatë, sipas burimeve të Sinjalit, personi që qëndron pas profilit nuk është identifikuar ende zyrtarisht, ndërsa pas konsultimeve me organet kompetente është udhëzuar përpilimi i një shënimi zyrtar.

Rasti ngre shqetësime për gjuhën kërcënuese ndaj gazetarëve që publikojnë kritika për çështje të interesit publik, ndërsa mbetet të sqarohet identiteti i autorit të komentit dhe nëse ekzistojnë elementet e veprës penale të kanosjes.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali