Inspektorët e KRU “Hidrodrini”, me asistimin e Policisë Rajonale të Pejës, kanë vazhduar aksionin për shkyçjen nga rrjeti të konsumatorëve që kanë borxhe ndaj kompanisë në rajonin e Dubovës, Lugut të Drinit dhe Novosellës.
Sipas njoftimit të KRU “Hidrodrini”, gjatë ditës së sotme inspektorët kanë trajtuar rastet e konsumatorëve borxhlinj në këto zona, ndërsa rastet përkatëse janë proceduar.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i shlyejnë obligimet e tyre financiare ose të paraqiten për të lidhur marrëveshje për riprogramimin e borxhit me këste.
Nga “Hidrodrini” theksojnë se përmbushja e obligimeve me kohë ndihmon në shmangien e shkyçjes nga rrjeti i ujësjellësit dhe të shpenzimeve shtesë.
“Paguani borxhin ose riprogramojeni me këste, shmangni shkyçjen dhe shpenzimet shtesë!”, thuhet në thirrjen e kompanisë drejtuar konsumatorëve.
Në fund, KRU “Hidrodrini” ka rikujtuar rëndësinë e ruajtjes, pagesës dhe përdorimit racional të ujit. /Telegrafi/