Historiku i Zhelinës: Lëvizja e popullsisë dhe zhvillimi i komunës

Historiku i Zhelinës: Lëvizja e popullsisë dhe zhvillimi i komunës

Written by

in

Komuna e Zhelinës gjendet në pjesën juglindore të Rajonit të Pollogut, në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shtrihet në anën e djathtë të lumit Vardar, përgjatë rrëzëve të Malit të Thatë, duke u shtrirë në drejtim të hapësirës së lumit Treska. Territori i saj karakterizohet nga një reliev i ndërthurur, me pjesë fushore, kodrinore dhe malore.

Zhelina ka karakter kryesisht rural dhe përbëhet nga 18 vendbanime. Ajo është pjesë e hapësirës historike dhe gjeografike të Pollogut, ku zhvillimi i vendbanimeve është lidhur ngushtë me bujqësinë, blegtorinë, kushtet natyrore, komunikacionin dhe marrëdhëniet ekonomike me qendrat përreth, veçanërisht me Tetovën.

Sipas dokumentacionit institucional për komunën, Zhelina u formua si njësi e vetëqeverisjes lokale në vitin 1996, në kuadër të organizimit të ri territorial të vendit.

Historiku i formimit të Komunës së Zhelinës

Formimi i Komunës së Zhelinës si njësi administrative lidhet me proceset e decentralizimit dhe organizimit territorial të Republikës së Maqedonisë pas vendosjes së sistemit pluralist.

Viti 1996 paraqet një moment të rëndësishëm në historinë institucionale të saj, pasi atëherë u themelua komuna në kuadër të ndarjes së parë territoriale të periudhës së pluralizmit. Pas zgjedhjeve të para lokale u konstituua Këshilli Komunal dhe filloi krijimi i strukturave të vetëqeverisjes lokale.

Gjatë kësaj periudhe u miratuan dokumentet themelore të funksionimit të komunës, përfshirë statutin, rregulloren e punës së Këshillit dhe dokumentet e planifikimit urbanistik.

Një ngjarje me rëndësi të veçantë në historinë e kohëve të fundit të komunës ishte kriza e Kosovës e vitit 1999. Sipas të dhënave të publikuara në dokumentacionin për Komunën e Zhelinës, gjatë kësaj krize komuna strehoi mbi 5.000 refugjatë nga Kosova. Për këtë qëllim u organizua edhe një shtab lokal i krizës, i cili merrej me strehimin dhe sigurimin e ndihmave ushqimore.

Kjo ngjarje përbën një kapitull të rëndësishëm të historisë sociale të komunës, pasi ndikoi përkohësisht në numrin e personave të pranishëm në territorin e saj. Megjithatë, refugjatët nuk duhet të ngatërrohen me popullsinë rezidente të regjistruar në regjistrimet e rregullta të popullsisë.

Lëvizja dhe gjendja e popullsisë sipas regjistrimeve në Komunën e Zhelinës

Të dhënat zyrtare të regjistrimeve të viteve 2002 dhe 2021 tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të popullsisë së Komunës së Zhelinës. Në vitin 2002 Zhelina kishte 24.390 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 2021 dolën 18.988 banorë. Nga krahasimi i këtyre dy regjistrimeve vërehet se Komuna e Zhelinës ka humbur 5.402 banorë gjatë periudhës 2002–2021, që përfaqëson një rënie prej rreth 22,1% të popullsisë së regjistruar në vitin 2002.

Në periudhën pas vitit 2002, territori i Komunës së Zhelinës, sikurse edhe shumë zona të tjera rurale të Pollogut, është përfshirë në proceset e migrimit të popullsisë drejt qendrave më të mëdha urbane dhe vendeve të Evropës Perëndimore.

Në analizën demografike dallohen dy forma të migrimit: migrimi i brendshëm dhe migrimi i jashtëm. Migrimi i brendshëm përfshin zhvendosjen e banorëve nga vendbanimet e komunës, drejt Tetovës, Shkupit dhe qendrave të tjera urbane. Ky proces lidhet me kërkimin e mundësive më të mira për punësim, arsimim dhe kushte jetese. Migrimi i jashtëm përfshin shpërnguljen e banorëve drejt vendeve të tjera, veçanërisht për arsye ekonomike, punësimi dhe bashkimi familjar.

Për interpretimin e këtyre proceseve është veçanërisht i rëndësishëm njoftimi metodologjik i ESHS-së, i publikuar më 9 nëntor 2023. Sipas këtij institucioni, diferenca ndërmjet vlerësimeve të bazuara në Regjistrimin e vitit 2002 dhe rezultateve të Regjistrimit të vitit 2021 lidhet edhe me emigrimin e paregjistruar.

ESHS sqaron se nuk ka arritur të identifikojë vitin e saktë të shpërnguljes për të gjithë personat që mungojnë në evidencat përkatëse. Për këtë arsye, vlerësimet e rishikuara të popullsisë për periudhën ndërmjet dy regjistrimeve janë përllogaritur me metodologji të veçantë.

Një kufizim i rëndësishëm është se këto përllogaritje të rishikuara nuk janë publikuar në nivel të komunave për të gjithë periudhën, por vetëm në nivel shtetëror, ndërsa për vitet 2017–2021 janë publikuar edhe sipas rajoneve statistikore.

Komuna e Zhelinës përbëhet nga 18 vendbanime rurale. Vendbanimet janë zhvilluar në një hapësirë gjeografike që karakterizohet nga ndërthurja e fushës së Pollogut me zonat kodrinore dhe malore.

Sipas dokumentacionit të planifikimit hapësinor të publikuar në arkivin e Ministrisë së Financave, duke u mbështetur në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, komuna përfshin këto 18 vendbanime: Zhelina, ku është selia e saj; Strimnica, Leshnica e Poshtme, Leshnica e Epërme, Treboshi, Pallatica, Ozurmishti, Dëbërca, Grupçini, Çifliku, Llërca, Kopaçindolli, Novo Sella, Roglja, Merova, Llukovica, Sаllareva dhe Cerova. Këto vendbanime janë të banuara kryesisht me popullatë shqiptare edhe atë: 99%, kurse vetëm 1% zënë vend popullata maqedonase dhe të tjerët.

Zhelina e sotme – drejt shpalljes si qytet

Transformimi i Zhelinës vërehet edhe në mënyrën e organizimit të jetës së përditshme. Zhvillimi i ndërtimeve të reja, zgjerimi i aktiviteteve afariste dhe kërkesa për shërbime më cilësore reflektojnë ndryshimet në nevojat dhe pritjet e qytetarëve që jetojnë në këtë komunë. Arsimi, infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimi dhe hapësirat sportive mbeten ndër çështjet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendbanimit dhe të komunës në tërësi.

Udhëheqësia aktuale e Komunës së Zhelinës është e angazhuar që Zhelinën ta shpall qytet edhe në mënyrë institucionale. Blerim Sejdiu në një paraqitje në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, ka thënë se do të angazhohet që fillimisht të plotësohen kushtet dhe më pas të bëhet pjesa institucionale.

“Do t’i bëjmë kushtet që të kërkojmë të shpallemi qytetet. Pajtohet dikush ose jo, Zhelina është ndryshe. Këtë e thonë edhe ata që nuk jetojnë këtu. Kur e thonë të tjerët, e sheh se je duke ecur mirë. Fillimisht duhet të bëhet infrastruktura, më pas të shpallet qytet. Kjo varet nga disa institucione që duhet t’i sjellim këtu. Kur do t’i kemi të gjitha institucionet atëherë mund të kërkojmë të shpallemi qytet”, tha Sejdiu.

Nëse synimi realizohet, Zhelina do të fitonte njohje zyrtare si vendbanim urban. Kjo do të pasqyronte ndryshimin e karakterit të saj ekonomik, infrastrukturor dhe funksional. Sipas Kushtetutës, organizimi territorial dhe kompetencat e pushtetit lokal rregullohen me ligj./Telegrafi/