Hjumi njerëzor

Hjumi njerëzor

Written by

in

Hjumi besonte se nuk ishim asgjë më shumë e asgjë më pak se njerëzorë: prandaj, ai është filozofi dashamirës, modest dhe bujar për të cilin kemi nevojë sot.

Nga: Julian Baggini / aeon.co
Përktheu: Agron Shala

Sokrati vdiq duke pirë helm kukute pasi u dënua me vdekje nga populli i Athinës. Albert Kamy [Camus] e gjeti fundin në një makinë e cila, me shpejtësi të madhe, u mbështoll rreth një peme. Niçe [Nietzsche] ra në çmenduri pasi qau mbi një kalë të rrahur. Brezat e mëvonshëm i duan fundet tragjike, dhe kjo është një nga arsyet pse kulti i Dejvid Hjumit [David Hume, 1711-1776], me gjasë filozofit më të madh që ka nxjerrë ndonjëherë Perëndimi, nuk u përhap kurrë.

Teksa Hjumi, në moshën 65-vjeçare, dergjej në shtratin e vdekjes në fund të një jete të lumtur, të suksesshme dhe, për atë kohë, të gjatë, ai i tha mjekut të tij: “Po vdes aq shpejt sa mund të dëshironin armiqtë e mi, nëse kam ndonjë, dhe aq lehtë e me gëzim sa mund të dëshironin miqtë e mi më të mirë”. Tri ditë para se të vdiste, më 25 gusht 1776 – me gjasë nga kanceri i barkut – mjeku i tij ende mund të raportonte se ai ishte “krejtësisht i lirë nga ankthi, padurimi ose dëshpërimi dhe e kalon kohën shumë mirë me ndihmën e librave zbavitës”.

Kur erdhi fundi, Dr. Blleku [Black] raportoi se Hjumi “deri në fund mbeti plotësisht i kthjellët dhe pa shumë dhimbje apo ndjenja vuajtjeje. Ai nuk shfaqi kurrë as shenjën më të vogël të padurimit; por, kur i duhej të fliste me njerëzit përreth tij, gjithmonë e bënte këtë me dashuri dhe butësi … Ai vdiq me një qetësi aq të lumtur mendore, sa asgjë s’mund t’i afrohej”.

Gjatë jetës së tij, Hjumi njihej kryesisht si historian. Karriera e tij si filozof nisi në mënyrë jo fort të mbarë. Përpjekja e tij e parë, shumë e hershme, për të paraqitur sistemin e tij të ri gjithëpërfshirës të filozofisë, Traktat mbi natyrën njerëzore [A Treatise of Human Nature, 1739-1740], botuar kur ishte 26 vjeç, “nga shtypi doli vdekur që në lindje, pa arritur as aq famë sa të ngjallte qoftë edhe një murmuritje mes zelltarëve”, siç kujtonte më vonë, me ekzagjerim vetëpërçmues.

Megjithatë, me kalimin e kohës, vlerësimi për të është ngritur në nivelin më të lartë. Disa vjet më parë, mijëra filozofë akademikë u pyetën se me cilin filozof që nuk jetonte më identifikoheshin më shumë. Hjumi doli bindshëm i pari, përpara Aristotelit, Kantit dhe Uitenshtajnit [Wittgenstein]. Shkencëtarët, të cilët shpesh nuk kanë shumë kohë për filozofinë, shpesh bëjnë përjashtim për Hjumin. Edhe biologu Luis Uolpert [Lewis Wolpert], i cili thotë se filozofët janë “shumë të zgjuar, por nuk kanë absolutisht asgjë të dobishme për të thënë”, bën përjashtim për Hjumin, duke pranuar se në një periudhë “u dashurua” në të.

– Lexo po ashtu: Hjumi vs Letërsia

E, megjithatë, skocezi i madh mbetet në njëfarë mënyre filozof i filozofëve. Nuk ka pasur libra të suksesshëm popullarizues për të, siç ka pasur për figura si Montejni [Montaigne], Niçe, Sokrati, Uitenshtajni dhe stoikët. Citatet e tyre, jo të tijat, zbukurojnë filxhanë dhe peshqirë kuzhine; fytyrat e tyre vështrojnë prej posterëve. Hjumi nuk ka “kaluar” nga epërsia akademike te admirimi i publikut.

Arsyet pse është kështu janë pikërisht arsyet pse nuk do të duhej të ishte kështu. Cilësitë e Hjumit si njeri dhe si mendimtar bëjnë që ai të mos ketë atë lloj “marke” që i bën intelektualët tërheqës për publikun. Me pak fjalë, ai nuk është figurë tragjike, romantike; idetë e tij nuk mund të përmblidhen lehtë në një “filozofi të jetës”; dhe, neveria e tij ndaj fanatizmit të çdo lloji e bëri tepër të arsyeshëm dhe të moderuar për të frymëzuar zell fanatik tek admiruesit e tij.

Hjumi pati të paktën dy mundësi për t’u bërë hero tragjik dhe për ta shmangur fundin e gëzueshëm që pati në fund. Kur ishte 19 vjeç, ra pre e asaj që njihej si “sëmundja e të diturve”, një melankoli që sot do ta quanim depresion. Megjithatë, pas rreth nëntë muajsh, kuptoi se ky nuk ishte fati i pashmangshëm i urtakëve, por pasojë e kushtimit të tepërt të kohës studimeve. Hjumi kuptoi se, për të ruajtur shëndetin dhe disponimin e mirë, ishte e nevojshme jo vetëm të studionte, por edhe të ushtronte dhe të kërkonte shoqërinë e miqve. Sapo filloi ta bënte këtë, e rifitoi gëzimin dhe e ruajti pak a shumë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës.

Bottom of Form

Kjo i dha një mësim të rëndësishëm për natyrën e jetës së mirë. Siç shkroi më vonë në Hulumtim mbi kuptimin njerëzor [An Enquiry Concerning Human Understanding, 1748]: “Mendja kërkon pak çlodhje dhe nuk mund t’i përmbahet gjithmonë prirjes së saj drejt përqendrimit dhe punës së zellshme”. Filozofia ka rëndësi, por nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi dhe, megjithëse është diçka e mirë, njeriu mund ta teprojë me të. “Mendimin abstrakt dhe kërkimet e thella i ndaloj”, thotë Hjumi, “dhe do t’i ndëshkoj rëndë, me melankolinë mendimtare që sjellin, me pasigurinë e pafundme në të cilën ju përfshijnë”. Jeta “më e përshtatshme për racën njerëzore” është e një “lloji të përzier”, në të cilin loja, kënaqësia dhe zbavitja kanë rëndësi po aq sa ato që konsiderohen veprimtari “më të larta”. “Bëhu filozof”, këshillonte Hjumi, “por, mes gjithë filozofisë sate, vazhdo të jesh njeri”.

Në vitin 1770, Hjumit iu dha gjithashtu një mundësi për martirizim, në rrethana disi banale. Nor Lohu [Nor’ Loch] në Edinburg, aty ku sot ndodhen Kopshtet e Rrugës së Princave [Princes Street Gardens], po thahej si pjesë e zgjerimit të qytetit. Një ditë, duke kaluar përmes tij, Hjumi ra në kënetën që kishte mbetur. Thirri për ndihmë, por, për fatin e tij të keq, gratë që e dëgjuan e njohën si “të pabesin e madh” dhe nuk kishin ndër mend ta shpëtonin. Hjumi vuri në dukje, me të drejtë, se të gjithë të krishterët duhet të ndihmojnë këdo, pavarësisht bindjeve të veta, por kuptimi i tyre për alegorinë e Samaritanit të Mirë nuk ishte në nivelin e të tijit dhe ato refuzuan ta shpëtonin – pos nëse bëhej i krishterë aty për aty, duke recituar Lutjen e Zotit dhe kredon.

Një Sokrat ndoshta do të kishte refuzuar dhe do të kishte vdekur në emër të së vërtetës. Hjumi, megjithatë, nuk kishte ndër mend ta lejonte marrëzinë e të tjerëve t’ia shkurtonte jetën, ndaj bëri atë që do të duhej të bënte çdo njeri i arsyeshëm: pranoi kërkesën e tyre pa pasur asnjë synim që ta mbante premtimin.

Në këtë ai po ndiqte shembullin e të vetmit filozof tjetër që mund të rivalizojë Hjumin për madhështinë e të gjitha kohëve: Aristotelin. Ja edhe një mendimtar tjetër, reputacioni i të cilit mes njohësve nuk mund të ishte më i lartë, por që nuk ka arritur ta rrëmbejë imagjinatën e publikut (megjithëse libri i kohëve të fundit i Edit Hallit [Edith Hall], Mënyra e Aristotelit [Aristotle’s Way, 2018], përpiqet ta ndryshojë këtë). Mendoj se nuk është rastësi që edhe Aristoteli refuzoi të luante rolin e martirit. Ashtu si Sokrati, ai u dënua me vdekje si i pafe. Gjithashtu, ashtu si Sokrati, pati mundësinë të ikte nga qyteti për të shpëtuar. Ndryshe nga Sokrati, ai pikërisht këtë bëri. Kështu, teksa të gjithë e dinë se si vdiq Sokrati, pak veta e dinë se Aristoteli, ashtu si Hjumi, vdiq në të gjashtëdhjetat – me gjasë gjithashtu nga kanceri i stomakut.

Është disi perverse që tërheqja e një filozofie duket se lidhet drejtpërdrejt me atë se sa e mjerueshme ishte jeta e autorit të saj. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme pse jashtë botës akademike ka pak njerëz që e quajnë veten hjumianë. Filozofia e Hjumit nuk përmblidhet në një sistem lehtësisht të kuptueshëm, në një grup rregullash për të jetuar. Në të vërtetë, Hjumi njihet më së shumti për tri teza negative.

Së pari, besimi ynë në fuqinë e shkakut dhe të pasojës, mbi të cilin mbështetet gjithë arsyetimi ynë për çështjet e faktit, nuk përligjet as nga vëzhgimi, as nga deduksioni logjik. Ne shohim vetëm një gjë që pason një tjetër: nuk vëzhgojmë kurrë ndonjë fuqi që e bën të domosdoshme që një gjë të prodhojë një pasojë. Edhe sikur të mund të bindeshim se kishim vërtetuar se x-i shkaktoi y-në, logjika nuk mund të vendosë ndonjë parim të përgjithshëm të shkakësisë, sepse të gjitha rregullsitë që kemi vëzhguar në natyrë i përkasin së kaluarës, ndërsa parimi i shkakut dhe i pasojës supozohet se zbatohet në të tashmen dhe në të ardhmen. Logjikisht, nuk mund të arrish kurrë te një e vërtetë për të ardhmen duke u mbështetur tërësisht në premisa që kanë të bëjnë me të kaluarën: ajo që ka qenë nuk është e njëjtë me atë që do të jetë.

Hjumi nuk e mohonte se shkaku dhe pasoja ishin realë. Ne nuk do të mund të arsyetonim për asnjë çështje të faktit empirik pa e marrë realitetin e tyre si të mirëqenë, siç bën shpesh edhe vetë Hjumi në shkrimet e tij. Megjithatë, ai ishte i qartë se ky themel i mendimit të arsyeshëm nuk përcaktohet vetë nga arsyeja apo përvoja. Kjo është një filozofi e fuqishme, por vështirë se është burim citatesh frymëzuese për Instagram.

Hjumi njihet mirë edhe për argumentet e tij kundër aspekteve të ndryshme të fesë, megjithëse nuk u deklarua kurrë haptazi si ateist i plotë. Në mënyrë më të famshme, ai argumentoi se nuk do të ishte kurrë e arsyeshme të pranohej pretendimi për një mrekulli, sepse dëshmia se ajo kishte ndodhur do të ishte gjithmonë më e dobët se dëshmia se gjërat e tilla nuk ndodhin kurrë. Gjithmonë do të ishte më e mundshme që dëshmitari i një mrekullie ta kishte gabim ose të gënjente, sesa që mrekullia vërtet të kishte ndodhur. Por, përsëri, skepticizmi ndaj pretendimeve të fesë tradicionale nuk përbën filozofi të mirëfilltë pozitive.

Pretendimi i tretë negativ i njohur i Hjumit ka të paktën përparësinë e një slogani të fuqishëm, ndonëse disi të errët: “Arsyeja është dhe duhet të jetë vetëm skllavja e pasioneve”. Arsyeja, në vetvete, nuk na jep asnjë motiv për të vepruar dhe sigurisht asnjë parim mbi të cilin do të mbështesim moralin tonë. Nëse jemi të mirë, kjo ndodh sepse kemi një ndjenjë themelore afërsie me të tjerët, e cila na bën t’i përgjigjemi me dhembshuri vuajtjes së tyre dhe me kënaqësi mendimit se ata po lulëzojnë. Njeriu që nuk e kupton pse duhet të jetë i mirë nuk është i paarsyeshëm, por pa zemër.

Siç tregojnë këto tri pretendime themelore, filozofia e Hjumit është në thelb skeptike dhe skepticizmi duket sikur heq më shumë sesa ofron. Megjithatë, i kuptuar siç duhet, skepticizmi hjumian mund dhe duhet të jetë baza e një qasjeje të plotë ndaj jetës. Ai ngrihet mbi themelet skeptike të një vlerësimi krejtësisht të sinqertë të natyrës njerëzore, gjë që mund të shihet si thelbi i projektit të Hjumit. Nuk është rastësi që përpjekja e tij e parë për ta paraqitur filozofinë e vet u quajt Traktat mbi natyrën njerëzore. Njerëzimi ishte tema e tij kryesore.

Hjumi i shihte qeniet njerëzore ashtu siç jemi në të vërtetë, të zhveshur nga çdo pretendim. Nuk jemi shpirtra të pavdekshëm të mbyllur përkohësisht në mish, as mendje të pastra jomateriale, siç besonte Dekarti [Descartes] se kishte dëshmuar se ishim. Njerëzit janë kafshë – të jashtëzakonshme, shumë inteligjente – por, megjithatë, kafshë. Hjumi jo vetëm që i zbriti qeniet njerëzore në tokë, por na privoi edhe nga çdo thelb i qëndrueshëm. Duke kundërshtuar pretendimin e Dekartit se jemi të vetëdijshëm për veten si ego të pastra e të pandara, Hjumi e sfidoi këtë duke thënë se, kur vështronte brenda vetes, nuk gjente asgjë të tillë. Ajo që ne e quajmë “un” është thjesht një “tufë perceptimesh”. Shiko brenda vetes, përpiqu të gjesh “unin” që mendon dhe do të vëresh vetëm këtë mendim, atë ndjesi: një melodi e ngulitur në mendje, një gudulisje, një mendim që të vjen papritur në kokë.

Hjumi po i bënte jehonë një pikëpamjeje që ishte shprehur për herë të parë nga budistët e hershëm, pikëpamja e të cilëve për “jo-unin” (anattā) është jashtëzakonisht e ngjashme. Ai gjithashtu parapriu gjetjet e neuroshkencës bashkëkohore, e cila ka zbuluar se në tru nuk ka ndonjë kontrollues qendror, as ndonjë vend të vetëm ku qëndron ndjenja e unit. Përkundrazi, truri kryen vazhdimisht një numër procesesh paralele. Ajo që ndodh të jetë më qendrore për vetëdijen varet nga situata.

Sa i përket intelektit tonë, Hjumi tregoi se sa i jashtëzakonshëm mund të ishte duke dëshmuar me rigorozitet se sa i papërsosur është në të vërtetë. Arsyeja e pastër, e llojit që lartësonte Dekarti, ishte në masë të madhe e pafuqishme. Dëshmitë e saj kufizohen në prova që kanë të bëjnë me “marrëdhënien e ideve”, me mënyrat se si konceptet lidhen logjikisht me njëri-tjetrin. Pra, mund të vërtetosh se 2 + 2 = 4, por kjo nuk të thotë asgjë për atë që ndodh kur bashkon katër gjëra në natyrë, ku ato mund ta asgjësojnë njëra-tjetrën, të shumëzohen ose të shkrihen në një të vetme. Mund të tregosh se një papë grua është kundërthënie logjike, por kjo nuk e përjashton mundësinë që një grua të mund ta udhëheqë Kishën Katolike: janë provat, jo logjika, ato që na tregojnë se historia e Papa Joanës është pothuajse me siguri e rreme.

Pjesa më e madhe e “arsyetimit” tonë është pak më shumë se një “shoqërim idesh”, pothuajse instinktive. Mësimi nga përvoja është “një lloj analogjie” në të cilën presim që gjërat e ngjashme të kenë pasoja të ngjashme. Prandaj, Hjumi nuk kishte asnjë problem t’ua atribuonte arsyen kafshëve. Edhe ato, qartazi, “mësojnë shumë gjëra nga përvoja dhe nxjerrin përfundimin se të njëjtat ngjarje do të pasojnë gjithmonë nga të njëjtat shkaqe”. Natyrisht, ne nuk mendojmë se ky mësim përfshin “ndonjë proces argumentimi ose arsyetimi”. Por, në fakt, as pjesa më e madhe e mësimit të qenieve njerëzore – madje edhe të filozofëve – nuk e përfshin një proces të tillë. Ne udhëhiqemi kryesisht nga “zakoni dhe shprehia”.

Prandaj, njerëzit hjumianë janë krijesa prej mishi e gjaku, intelekti e instinkti, arsyeje e pasioni. Jeta e mirë është, rrjedhimisht, ajo që i jep secilës prej këtyre veçorive vendin që i takon. Hjumi nuk e shpjegoi kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë se nga çfarë do të përbëhej jeta e tillë, por mund të thuhet se bëri diçka edhe më të mirë: e tregoi me shembullin e vet. Ai studionte dhe shkruante, por gjithashtu luante bilardo dhe gatuante një supë me kokë deleje, për të cilën mysafirët flisnin edhe disa ditë më vonë.

Të gjithë ata që e njihnin Hjumin, me përjashtim të paranojakut dhe narcisistit Zhan-Zhak Ruso [Jean-Jacques Rousseau], flisnin mirë për të. Kur kaloi tri vjet në Paris në një periudhë të mëvonshme të jetës, njihej si Dejvidi i mirë [le bon David] dhe shoqëria e tij kërkohej nga të gjithë salonistët. Baroni d’Holbah [Baron d’Holbach] e përshkroi si “një njeri të madh, miqësinë e të cilit, të paktën, di ta çmoj ashtu siç meriton”. Adam Smithi, duke i shkruar botuesit të tij Uilliam Strahan [William Strachan] për t’i dhënë lajmin e vdekjes së Hjumit, tha: “Gjithmonë e kam konsideruar, si gjatë jetës së tij ashtu edhe që nga vdekja, si njeriun që i afrohej gjithnjë e më shumë idesë së një njeriu përsosmërisht urtak dhe të virtytshëm, aq sa ndoshta e lejon natyra e dobësisë njerëzore”.

Nëse ai jetoi një jetë kaq shembullore, pse ajo nuk vlerësohet më gjerësisht si e tillë? Njëra arsye është se filozofia morale e Hjumit dhe, bashkë me të, koncepti i tij për të mirën, nuk janë tërheqëse në pamje të parë. Filozofitë e tjera morale kanë slogane frymëzuese që shprehin parime të lehta për t’u kuptuar. “Vepro vetëm sipas asaj maksime për të cilën mund të dëshirosh njëkohësisht që të bëhet ligj universal”, shkroi Kanti. Utilitaristët kanë thënien e Bentamit [Bentham]: “Krijo gjithë lumturinë që je në gjendje të krijosh; largo gjithë mjerimin që je në gjendje të largosh”. “Duaje të afërmin tënd si vetveten”, tha Jezusi. Hjumi nuk përkrahu fare ndonjë parim të thjeshtë të moralit dhe madje nuk është krejt e qartë se çfarë do të thotë, për të, të jesh i mirë.

Për Hjumin, morali nuk rrënjoset në asgjë më shumë se në “simpatinë”: një lloj ndjenje afërsie me të tjerët, e cila është pranë asaj që sot e quajmë empati. Parimet morale nuk mund të nxirren përmes deduksioneve logjike, as nuk janë parime të përjetshme e të pavdekshme të cilat, në njëfarë mënyre, ekzistojnë në vetë Universin. Ne sillemi mirë me të tjerët vetëm sepse shohim te ta aftësinë për të vuajtur ose për të lulëzuar dhe reagojmë në përputhje me këtë. Dikush që nuk ndien një simpati të tillë ka mangësi emocionale, jo racionale.

Pak njerëz janë kënaqur me këtë shpjegim të moralit. Për shumëkënd, ai duket si asgjë më shumë se parimi se duhet të jesh i mirë nëse të vjen natyrshëm dhe, nëse jo, nuk ka më asgjë për të thënë. Megjithatë, mendoj se Hjumi kishte të drejtë në themel dhe se, larg nga ajo për të na bërë pesimistë për mundësinë e mirësisë njerëzore, kjo duhet të na bëjë më optimistë. Nëse morali rrënjoset në arsyen e pastër, çfarë shprese mund të kemi se do ta kuptojmë dhe do të pajtohemi për atë që duhet të bëjmë, kur as mendjet më të ndritura të historisë nuk kanë arritur të dëshmojnë se çfarë kërkon arsyeja prej nesh dhe pse? Dhe, nëse morali rrënjoset në një lloj realiteti transcendental përtej njeriut, jemi të dënuar me mosmarrëveshje morale. Por, nëse morali rrënjoset vetëm në aftësinë për t’i njohur interesat e tjetrit, atëherë është diçka së cilës mund t’i përgjigjemi të gjithë.

Hjumi besonte shumë se duhej t’u kushtonim vëmendje dëshmive dhe mendoj se përvoja e mbështet modelin e tij të moralit – më mirë se konkurrentët kryesorë. Qeniet më të mira njerëzore nuk janë udhëhequr nga ideologjia, filozofia morale dhe sigurisht jo nga logjika. Kanë qenë gjithmonë njerëz që përgjigjen ndaj nevojës njerëzore e kanë vënë mbi besimin ose doktrinën. Në të vërtetë, krimet më të këqija janë kryer prej njerëzve të bindur se kishin një parim justifikues moral. Fizikani Stiven Uajnbergu [Steven Weinberg] gaboi kur tha se “që njerëzit e mirë të bëjnë gjëra të këqija, për këtë duhet feja”: mjafton çdo ideologji e mbajtur me ngurtësi.

Por, dyshoj se arsyeja kryesore pse Hjumi nuk ngrihet si model i virtytit është se ai nuk përputhej me modelet heroike të shumicës së qytetërimeve. “Burrat e mëdhenj” (meqë grave, për fat të keq, rrallë u është njohur madhështia) kanë qenë ose udhëheqës të fuqishëm, ose shenjtorë vetësakrifikues. Të jesh i jashtëzakonshëm do të thotë të jesh më i ngjashëm me një zot se shumica, qoftë ky një hyjni e fuqishme miti apo Zoti që vdiq në kryqin e krishterimit. Lloji i jashtëzakonshmërisë së Hjumit ishte e kundërta: ai në plotni ishte më njerëzor se shumica, asgjë më shumë, asgjë më pak. Virtytet që shfaqte nuk ishin ato ekstreme të guximit apo trimërisë, por ato të qeta të dashamirësisë, modestisë, bujarisë shpirtërore dhe mikpritjes. Që kjo të mos duket si pak, mendoni sa e vështirë është ta jetojmë jetën duke i shfaqur vazhdimisht virtytet e tilla.

Të çmosh një jetë të tillë është e vështirë, sepse ajo, pa dyshim, varet nga privilegji. Kaq shumë njerëz luftojnë madje vetëm për të mbetur gjallë, kaq shumë jetojnë në zona lufte, sa nuk është çudi që parapëlqejmë të lavdërojmë ata aktet vetësakrifikuese të të cilëve ndihmojnë të tjerët. Por, jeta e mirë hjumiane, ashtu si ajo e Aristotelit, tregon se ku synon të çojë gjithë ky altruizëm. Ne duam ta zhdukim varfërinë, sëmundjet dhe luftën, në mënyrë që njerëzit të mund të vazhdojnë jetën dhe të bëjnë jetë të begata e produktive, si ajo e Dejvid Hjumit. Në një botë më të mirë, nuk do të kishim nevojë për heronj.

Skepticizmi është në qendër të kësaj jete të mirë hjumiane. Jo skepticizmi “i tepruar” pironian që pezullon gjykimin për gjithçka, por një skepticizëm “i zbutur” që korrigjon dogmatizmin tonë të natyrshëm. Hjumi parapriu gjetjet e psikologjisë bashkëkohore kur vërejti: “Pjesa më e madhe e njerëzimit është natyrshëm e prirur të jetë pohuese dhe dogmatike në mendimet e veta; dhe, teksa i sheh gjërat vetëm nga njëra anë dhe nuk ka asnjë ide për ndonjë argument që mund t’i kundërpeshojë, hidhet me ngut në parimet drejt të cilave priret; dhe, nuk tregon asnjë tolerancë ndaj atyre që mbajnë mendime të kundërta”. Këtu gjejmë paragjykimin e konfirmimit dhe të menduarit e motivuar avant la lettre.

Ky moderim fondamental është, mendoj, një arsye tjetër pse Hjumi nuk është bërë kurrë filozof popullor. Ai është thjesht tepër i arsyeshëm. Arsyeshmëria dhe ekuilibri shihen si të mërzitshme, si shenja të mungesës së shkëndijës ose origjinalitetit. Hjumi ishte gjithmonë dyshues ndaj atyre që i quante “entuziastë”, dhe ndoshta është domethënëse që kjo fjalë sot ka një kuptim pa mëdyshje pozitiv. Do të bënim mirë të kujtonim se fjala rrjedh nga greqishtja entheos: të kesh një zot (theos) brenda vetes. Të jesh entuziast në kuptimin e Hjumit do të thotë të harrosh se je njeri dhe të veprosh sikur të ishe zot, duke e konsideruar arsyen dhe dijen tënde të mjaftueshme për të qenë plotësisht i sigurt për atë që beson.

Hjumi e dinte se ky gabim bëhej edhe më i mundshëm kur besonim se e njihnim Zotin dhe synimet e tij. Në esenë e tij Mbi besëtytninë dhe entuziazmin [Of Superstition and Enthusiasm, 1741], ai përshkroi se si “mendja e njeriut” i “nënshtrohet një ngritjeje dhe vetëbesimi të pashpjegueshëm”. Në këtë gjendje mendore, njerëzimi e tejkalon masën e vet, duke menduar se brenda tij ka diçka hyjnore. Kjo sjell një formë “feje të rreme”, në të cilën “asnjë bukuri apo kënaqësi e kësaj bote nuk mund të krahasohet” dhe “çdo gjë e vdekshme dhe e kalueshme zhduket si e padenjë për vëmendje”. Mbrojtja më e mirë kundër kësaj është ta përqafojmë plotësisht njerëzoren tonë dhe, bashkë me të, përulësinë, duke pranuar kufizimet tona. Entuziastët laikë që e ngrenë tepër lart racionalitetin dhe fisnikërinë njerëzore bëjnë pikërisht të njëjtin gabim, duke krijuar një lloj feje pa zot të njerëzimit, po aq të dëmshme.

Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë në historinë e afërt për t’iu kthyer Hjumit, ajo është padyshim tani. Entuziastët janë në ngritje, në formën e populistëve politikë të tipit “njeri i fortë”, të cilët e shpallin vullnetin e popullit sikur të ishte absolut dhe absolutisht i pagabueshëm. Në kohë më të qeta ndoshta do të na duhej një Niçe për të na nxjerrë nga vetëkënaqësia jonë borgjeze ose do të mund të argëtoheshim me ëndrra platonike për forma të përsosura e të pavdekshme. Teprimet e tilla filozofike tani janë vetëkënaqësi e dëmshme. Më shumë se kurrë nevojitet gjykim i shëndoshë, që sot është i rrallë.

Ne kemi gjithashtu nevojë të dëshpëruar për llojin e duhur të skepticizmit, që të zëvendësojë ngurrimin e lodhur global që u lejon njerëzve ta hedhin poshtë ndryshimin klimatik si mashtrim ose gjykimet e ekspertëve si komplote. Skepticizmi hjumian është antidot kundër arrogancës, jo recetë për mosveprim apo justifikim për t’iu dorëzuar paragjykimeve. Skepticizmi i zbutur i Hjumit mbështetet në parimin se bindjet tona duhet t’i përpjesëtojmë me provat, jo të dyshojmë në vlerën e tyre. Hjumi nuk do të ishte skeptik ndaj ndryshimit klimatik, por ndaj supozimit tonë të lehtë se, çfarëdo që të ndodhë, ne do të jemi mirë.

Problemi për admiruesit e Hjumit është se si mund të jemi përkrahës entuziastë të dikujt që ishte kaq kundër entuziazmit. Nëse çështja në favor të Hjumit duhet të shtrohet në terma hjumianë, ajo duhet të argumentohet me qetësi, por edhe me elokuencë. Ndoshta edhe më e rëndësishme është që ajo duhet të demonstrohet. Dashamirësit e vërtetë të mënyrës laike e të arsyeshme të jetesës që përfaqësonte Hjumi, duhet të shmangin si dënimet histerike të fesë dhe besëtytnisë, ashtu edhe lavdërimet tepër optimiste për fuqinë e shkencës dhe racionalitetit. Në vend të kësaj, duhet të jemi modestë në pretendimet tona filozofike, duke mbrojtur po aq, në mos më shumë, simpatinë njerëzore sesa racionalitetin njerëzor. Mbi të gjitha, nuk duhet të lejojmë kurrë që ndjekja e dijes dhe e njohurive të na pengojë të shijojmë kënaqësitë e lehta të ushqimit, pijes, shoqërisë dhe lojës. Hjumi modeloi një mënyrë jetese të butë, të arsyeshme dhe dashamirëse: të gjitha ato gjëra që sot i sheh rrallë në jetën publike. /Telegrafi/