Hoti kritikon Qeverinë për projektin e baterive: Tetë vjet pritje dhe asnjë kapacitet i ri për prodhimin e energjisë

Hoti kritikon Qeverinë për projektin e baterive: Tetë vjet pritje dhe asnjë kapacitet i ri për prodhimin e energjisë

Written by

in

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar politikën energjetike të Qeverisë së Kosovës, pas njoftimit se projekti për bateritë e ruajtjes së energjisë është shtyrë deri në vitin 2029.

Përmes një reagimi, Hoti ka rikujtuar anulimin e projektit të gazit dhe orientimin e mjeteve financiare drejt blerjes së baterive, duke thënë se këto të fundit nuk prodhojnë energji, por vetëm e ruajnë atë.

Sipas tij, për të funksionalizuar një sistem të tillë, fillimisht duhet të sigurohen kapacitetet për prodhimin e energjisë elektrike.

“Projektin e gazit e anuluan. Mjetet i orientuan drejt blerjes së baterive, duke harruar një fakt themelor: bateritë nuk prodhojnë energji, por vetëm e ruajnë atë. Fillimisht duhet ta kesh energjinë për ta ruajtur!”, ka shkruar Hoti.

Ai ka kritikuar edhe shtyrjen e projektit të baterive deri në vitin 2029, duke e cilësuar këtë si dëshmi të vonesave në realizimin e projekteve energjetike.

“Tani njoftojnë se edhe projekti i baterive është shtyrë deri në vitin 2029. Pra, nga viti 2021 deri në vitin 2029, tetë vjet për të blerë disa bateri për ruajtjen e energjisë, ndërkohë që nuk kanë krijuar kapacitete të reja për prodhimin e saj”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Në fund, Hoti e ka cilësuar këtë periudhë si bilanc të dështuar të politikës energjetike të Qeverisë.

“Tetë vjet pritje, projekte të anuluara dhe energji e paprodhuar. Ky është bilanci i politikës së tyre energjetike!”, ka përfunduar ai.