
Avdullah Hoti ka reaguar ndaj asaj që e ka cilësuar si gjuhë linçimi ndaj gazetarit Fidan Jupolli, duke akuzuar Albin Kurtin dhe ndjekësit e tij për promovimin e një gjuhe të tillë ndaj kritikëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se Jupolli e kishte kritikuar dhe kishte bërë satirë çdo ditë edhe gjatë kohës kur ai dhe bashkëpartiakët e tij ishin në pushtet, por, sipas tij, askush prej tyre nuk kishte menduar ta linçonte gazetarin.
“Sepse dallimi mes demokracisë dhe mentalitetit autoritar qëndron pikërisht te mënyra se si i trajtojmë ata që nuk pajtohen me ne”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se pushteti demokratik duhet t’i përballojë kritikat dhe se gazetarëve nuk u nevojitet leja e pushtetit për t’u shprehur lirshëm.
“Pushteti demokratik i përballon kritikat. Gazetarët nuk kanë nevojë për lejen e pushtetit për të folur lirshëm”, ka deklaruar ai.
Hoti e ka përmbyllur reagimin me thirrjen për mbrojtjen e fjalës së lirë, veçanërisht kur ajo nuk u pëlqen atyre që e dëgjojnë.
“Fjala e lirë mbrohet sidomos atëherë kur nuk na pëlqen ajo që thuhet!”, ka shkruar Hoti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Hoti në mbrojtje të Fidan Jupollit: Gazetarët nuk kanë nevojë për lejen e pushtetit për të folur lirshëm appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali