Në fokus të takimit ishte ruajtja dhe forcimi i momentit të ri politik për zgjerimin e Bashkimit Evropian, si dhe perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë diskutimit, Hoxha theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit në kontekstin aktual evropian, duke nënvizuar se ky proces nuk duhet parë vetëm si një mekanizëm për afrimin e vendeve kandidate me BE-në.
“Zgjerimi nuk është më thjesht një politikë konvergjence. Ai është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës”, u shpreh ministri shqiptar.
Duke folur për rrugën e integrimit evropian, Hoxha kujtoi se për 23 vjet, që nga Samiti i Selanikut i vitit 2003, zgjerimi kishte mbetur kryesisht një premtim për të ardhmen, ndërsa dy vitet e fundit kanë sjellë një ndryshim të rëndësishëm.
“Për shumë vite, plot 23 vjet që nga Selaniku, për zgjerimin është folur kryesisht në kohën e ardhme. Dy vitet e fundit e kanë ndryshuar këtë. Sot, më në fund, për zgjerimin flitet në kohën e tashme. Zgjerimi po ndodh dhe Shqipëria është plotësisht pjesë e tij”, deklaroi Hoxha.
Ai riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë për vazhdimin e reformave, ruajtjen e ritmit të negociatave dhe shndërrimin e këtij momenti politik në rezultate konkrete drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministri shqiptar vuri theks të veçantë edhe te besueshmëria e procesit të zgjerimit, duke theksuar se përgjegjësia për përparimin e tij u takon si vendeve kandidate, ashtu edhe vetë Bashkimit Evropian.
“Besueshmëria është motori i zgjerimit dhe funksionon në të dyja drejtimet: vendet kandidate duhet të sjellin rezultate përmes reformave, ndërsa Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet me rezultate progresit të arritur”, theksoi ai.
Sipas Hoxhës, një perspektivë e besueshme evropiane ndihmon në përshpejtimin e reformave, ndërsa dobësimi i saj mund të rrezikojë ngadalësimin e procesit të integrimit.
Në përfundim, ministri nënvizoi se për të ruajtur dinamikën aktuale të zgjerimit nevojiten angazhim i vazhdueshëm, vendimmarrje dhe rezultate nga të dyja palët.
“Një Evropë më e fortë ka nevojë për zgjerimin. Dhe zgjerimi ka nevojë për besueshmëri, kurajë dhe rezultate”, përfundoi Hoxha.
Ai falënderoi homologun grek, George Gerapetritis, për mikpritjen dhe mbështetjen, si dhe për mundësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Burimi: RTKLive
