Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Berlin, ku ka theksuar rëndësinë e një roli më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan, përfshirë edhe fushën e sigurisë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka bërë të ditur se ishte pjesë e debatit të nivelit të lartë me temën “Angazhimi i besueshëm në Jug”, së bashku me gjenerallejtënant Iulian Berdila, zëvendësshef i Mbrojtjes për Operacione dhe Trajnim në Rumani, dhe gjenerallejtënant Nuno Lemos Pires, drejtor i Politikës Kombëtare të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes të Portugalisë.
Paneli u moderua nga Javier Colomina, përfaqësues i posaçëm i NATO-s për Fqinjësinë Jugore.
“Theksova se po jetojmë ndërmjet një rendi botëror që po shpërbëhet dhe një rendi të ri që ende nuk ka marrë formë. Dobësimi i institucioneve ndërkombëtare dhe ambiciet perandorake të Rusisë e bëjnë të domosdoshëm një rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan, edhe në fushën e sigurisë”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se angazhimi i vazhdueshëm i BE-së dhe NATO-s është i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin.
“Për Kosovën dhe rajonin tonë, angazhimi i qëndrueshëm i BE-së dhe NATO-s mbetet jetik për paqen dhe të ardhmen euroatlantike”, ka përfunduar Hoxhaj.
Burimi: RTKLive
