Humbja e Trump luhat tregjet/ Rriten aksionet, bie dollari amerikan

Humbja e Trump luhat tregjet/ Rriten aksionet, bie dollari amerikan

Written by

in

Humbja e Trump luhat tregjet/ Rriten aksionet, bie dollari amerikan

Donald Trump pësoi një nga humbjet më të këqija të karrierës së tij politike, pasi demokratët fituan të dyja dhomat e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e mesmandatit. Çmimet e larta duket se ndikuan mbi votuesit, pasi sipas një ankete të zhvilluar ditën e zgjedhjeve, rreth dy të tretat e të anketuarve thanë se tarifat e presidentit Donald Trump kishin dëmtuar ekonominë.

Por, çfarë do të thotë humbja e Trump dhe një Kongres me shumicë demokratësh për Europën dhe tregjet?

Një nga çështjet kryesore është ajo e tarifave tregtare. Pavarësisht se demokratët morën kontrollin e dy dhomave të Kongresit, duket se kjo nuk do të ndalojë Trump të vazhdojë me tarifat, pasi nuk varen më nga Kongresi.

Pasi Gjykata e Lartë i rrëzoi tarifat e tij të emergjencës në shkurt, administrata i zhvendosi ato sipas Seksionit 301 të ligjit tregtar të SHBA-së. Kjo rrugë e lejon presidentin të veprojë pa votën e ligjvënësve.

Edhe ekonomistët thonë se, ashtu si politika e jashtme, edhe tregtia është një tjetër fuqi që presidenti mund ta ushtrojë në mënyrë të njëanshme pa Kongresin. Ata nuk përjashtojnë tarifa të reja ndaj Europës, të cilat do të kishin ndikim në inflacionin e SHBA-së, por dhe në vendimmarrjen e Rezervës Federale.

Demokratët do të kryesojnë komisionet e Senatit dhe do të vendosin se cilët nga të nominuarit e Trump do të konfirmohen kur Kongresi i ri të marrë detyrën në janar. Shumë prej tyre duan gjithashtu të miratojnë fonde të reja për Ukrainën.

Pjesa më e vështirë është shpenzimi i këtyre parave. Gjatë dy viteve të fundit, Shtëpia e Bardhë ka anuluar fondet e miratuara tashmë nga Kongresi duke i mbajtur ato deri në fund të vitit fiskal, kur ato skadojnë.

Në praktikë, sipas ekspertëve, kjo do të thotë që një Kongres i dominuar nga shumica demokrate mund të hartojë ligjin për shpenzimet dhe ndihmën për Ukrainën dhe presidenti të mos i shpenzojë ato.

Rezultati i zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA ndikoi tregjet. Kontratat e aksioneve amerikane u rikuperuan, teksa rritje shënuan edhe ato europiane. Aksionet e mbrojtjes, nga ana tjetër, ndoqën drejtim të kundërt, pasi investitorët kanë frikë se tashmë Kongresi mund të ngadalësojë rritjen e shpenzimeve ushtarake amerikane që Trump ka nxitur. Dollari amerikan u dobësua ndërkohë në raport me monedhat e tjera kryesore, teksa euro u rrit me 0.5%.

Edhe bitcoin u rrit me 1.3% duke u ngjitur në 78 300 dollarë, teksa nafta e papërpunuar Brent u tregtua pranë 104 dollarëve për fuçi.

Burimi: Insajderi