Nga fëmijëria aristokratike dhe tragjedia familjare deri te fama botërore, historia e gruas që sfidoi standardet e bukurisë dhe ndryshoi përgjithmonë fotografinë e modës.
Bota e modës u ka dhënë lamtumirën shumë emrave të mëdhenj, por pakkush ka lënë një gjurmë kaq të veçantë sa Vera Gottliebe Anna von Lehndorff, e njohur me emrin artistik Verushka.
Modelja gjermane, e cila për dekada sfidoi konceptet tradicionale të bukurisë, estetikës dhe artit, ndërroi jetë më 24 nëntor 2026, në Berlin, në moshën 87-vjeçare.
Fotografitë e saj u publikuan në qindra revista ndërkombëtare, ndërsa ajo u shfaq vazhdimisht në kopertinën e prestigjiozes “Vogue”. Ishte muza e artistëve, frymëzimi i fotografëve dhe një portret që nuk mund të ngatërrohej me asnjë tjetër.
Megjithatë, rruga drejt famës botërore nuk ishte aspak e lehtë. Përpara se të bëhej ikonë e industrisë së modës, Verushka përjetoi tragjedinë familjare, humbjen e shtëpisë dhe tmerret e luftës.
Nga fëmijëria aristokratike në kampin e përqendrimit
Vera lindi në vitin 1939 në Königsberg, Kaliningradi i sotëm, në një familje aristokrate gjermane. Vitet e para të jetës i kaloi në një rezidencë luksoze familjare.
Babai i saj, konti Heinrich von Lehndorff-Steinort, iu bashkua rezistencës kundër regjimit nazist dhe mori pjesë në komplotin e 20 korrikut 1944 kundër Adolf Hitlerit. Pas zbulimit të komplotit, ai u arrestua dhe u ekzekutua.
Pasojat ishin shkatërruese për të gjithë familjen. Pasuria iu konfiskua, ndërsa Vera dhe familjarët e saj përjetuan përndjekjen naziste.
Fëmijëria që kishte nisur në luks u zëvendësua nga frika, pasiguria dhe humbja, transmeton Telegrafi.
Foto: Franco Rubartelli, Vogue, korrik 1966
Ishte tepër e gjatë për baletin, ndërsa Parisi nuk dinte çfarë të bënte me të
Që e vogël, Vera ëndërronte të bëhej balerinë. Megjithatë, shtatlartësia e saj përbënte pengesë për baletin klasik, ndaj filloi t’i kushtohej pikturës dhe artit.
Në Itali u njoh me fotografin Ugo Mulas, takim që shënoi hapat e parë drejt botës së modës.
Në Paris, pamja e saj e pazakontë nuk përputhej me standardet e kohës. Njohja me Eileen Ford, themeluesen e agjencisë Ford Models, i hapi rrugën drejt Amerikës.
Megjithatë, as Nju-Jorku nuk e njohu menjëherë potencialin e saj. Këshillohej të dobësohej dhe të ndryshonte ngjyrën e flokëve. E zhgënjyer nga këto kërkesa, vendosi të rikthehej në Evropë.
Aty mori vendimin që do t’ia ndryshonte jetën.
Foto: Franco Rubartelli, Vogue, prill 1967
Krijoi një identitet të ri dhe u bë gruaja më misterioze e modës
Në vend që t’u përshtatej pritshmërive të të tjerëve, Vera vendosi të krijonte një identitet të ri artistik dhe filloi të prezantohej si Verushka.
Vishte kryesisht rroba të zeza dhe kultivonte një pamje misterioze. Madje, rreth saj qarkullonin spekulime se ishte spiune ruse.
Ajo që dikur konsiderohej mangësi, tashmë ishte përparësia e saj më e madhe.
Një rol të rëndësishëm në karrierën e saj pati filmi “Blow-Up” i vitit 1966, me regji të Michelangelo Antonionit.
Bashkëpunoi me revistën “Vogue” dhe artistë të kalibrit të Salvador Dalís. Në kulmin e famës, thuhet se fitonte deri në 10 mijë dollarë në ditë.
Getty Images
Refuzoi të ndryshonte pamjen dhe i ktheu shpinën industrisë së modës
Në mesin e viteve ’70, pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e “Vogue”, të cilët kërkonin ndryshimin e imazhit të saj, Verushka vendosi të largohej nga bota e modës së lartë.
Filloi të eksperimentonte me artin trupor (body art), duke e shndërruar trupin në një telajo artistike. Përmes ngjyrave dhe materialeve të ndryshme, merrte pamjen e kafshëve, bimëve, gurëve dhe elementeve të tjera të natyrës.
“Nuk më mjaftonte të isha e bukur. Dëshiroja të bëhesha dikush tjetër”, shprehej ajo.
Bashkëpunimet me Salvador Dalín ishin ndërthurje e ideve të pazakonta, lirisë krijuese dhe tejkalimit të kufijve të fotografisë së modës.
Verushka mbeti në histori si një grua që nuk dëshironte vetëm të admirohej, por që përmes artit transformonte vazhdimisht identitetin e saj. Nga një fëmijë që u mbijetoi tmerreve të luftës deri te një prej figurave më të veçanta të historisë së modës, jeta e saj ishte gjithçka përveçse e zakonshme.
Foto: Horst P. Horst, Vogue, shtator 196
Foto: Franco Rubartelli, Vogue, nëntor 1966
Foto: Irving Penn, Vogue, qershor 1966
Foto: Franco Rubartelli, Vogue, prill 1969
/Telegrafi/