ICMG dhe Kosova drejt një takimi të ri para vendimit të 19 dhjetorit për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’

ICMG dhe Kosova drejt një takimi të ri para vendimit të 19 dhjetorit për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’

Written by

in

Para mbledhjes së rëndësishme të 19 dhjetorit, ku pritet të shqyrtohet situata rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, pritet të zhvillohet edhe një takim tjetër ndërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe Komitetit Organizativ të Kosovës.

Burime të KosovaPress-it kanë konfirmuar se ky takim pritet të mbahet gjatë ditëve në vijim në Athinë të Greqisë, ndërsa në të do të diskutohen çështje të rëndësishme që lidhen me situatën aktuale të përgatitjeve për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

Takimi vjen në një periudhë vendimtare për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare, pasi projekti ‘Prishtina 2030’ po përballet me sfida të shumta, përfshirë vonesat në përmbushjen e obligimeve financiare dhe garancive të kërkuara nga organizatorët.

Kujtojmë se ICMG ka caktuar 19 dhjetorin si datë për shqyrtimin e mëtejshëm të situatës, në një mbledhje që mund të jetë përcaktuese për fatin e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë.

Takimi i pritshëm në ditët në vijim shihet si një mundësi tjetër për të diskutuar problemet e akumuluara dhe për të shqyrtuar hapat që mund të ndërmerren para mbledhjes së 19 dhjetorit.