
Një incident ka ndodhur sot në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës Jugore.
Atje ka pasur një përplasje mes stafit të kryetarit Faton Peci dhe asamblistëve të PDK-së.
Lidhur me situatën për Sinjalin është prononcuar shefi i Grupit të Asamblistëve të Partisë Demokratike Shkëlqim Ibrahimi.
“Jo, të them të drejtën konflikt fizik nuk ka pasur, ka pasur shtyerje. Ka qenë një incident i cili është nisur pas fjalëve të drejtorit të DKRS-së Gazmend Asllani, i cili na është drejtuar me fjalët “Të pafytyrë, hajna”. Unë personalisht disa herë u kam thënë nëse keni diçka për të denoncuar çojeni në Prokurori se edhe vet jam i interesuar ta pastroj Grupin Parlamentar nëse ka keqpërdorues. Unë për vete 42 mijë euro kredi i kam dhe le të del dikush e të më thotë se kam kushtëzuar qoftë edhe me një kafe”, deklaroi ai.
“Pas debatit asamblisti ynë është çuar të dal jashtë dhe pastaj duke dalur atij i është afruar shoferi i Faton Peci dhe e ka shtyer duke tentuar të mos e lë të dal jashtë. Mund të them se 90% e asamblistëve në sallë kanë luajtur rolin e amortizuesit, duke tentuar ta qetësojnë situatën. Asamblisti ynë Artan Berisha, do të bëjë padi për sulm ndaj personit zyrtar”, theksoi Ibrahimi për Sinjalin.
Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin Faton Peci, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka qenë i qasshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali