
Tri kandidatura janë paraqitur nga federatat anëtare për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s, të cilat do të mbahen më 18 mars 2027, në kuadër të Kongresit të 77-të të organizatës, në Rabat të Marokut.
Në mesin e kandidatëve është edhe presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili synon të vazhdojë drejtimin e organizatës më të madhe të futbollit botëror edhe për një mandat tjetër.
Përballë tij në garë janë propozuar edhe Philippe Diallo dhe Kohzo Tashima. Sipas njoftimit të FIFA-s, emrat e kandidatëve janë renditur sipas rendit alfabetik.
Megjithatë, kandidaturat ende nuk janë zyrtarizuar, pasi fillimisht duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit nga Komiteti Zgjedhor i FIFA-s. Ky organ do të vlerësojë nëse kandidatët i përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara në rregulloret e organizatës.
FIFA ka bërë të ditur se federatat anëtare do të njoftohen për kandidatët e propozuar që do të pranohen nga Komiteti Zgjedhor, jo më vonë se më 18 shkurt 2027.
Votimi do të mbahet më 18 mars 2027, gjatë Kongresit të 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut, ku do të vendoset se kush do ta udhëheqë organizatën në mandatin e ardhshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali