IPK evidenton dështimet e Policisë në trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt

IPK evidenton dështimet e Policisë në trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt

Written by

in

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka evidentuar disa dështime të Policisë së Kosovës në trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, përfshirë mosdokumentimin e ekzekutimit të urdhrit të parë mbrojtës, vonesën në zbatimin e urdhrit të dytë dhe mosreagimin e zinxhirit komandues ndaj kërkesës së një hetuesi policor për vlerësimin e rastit.

Sipas gjetjeve preliminare të IPK-së, urdhri mbrojtës i 7 shtatorit 2026 nuk rezulton të jetë ekzekutuar nga Policia e Kosovës, ndërsa urdhri i dytë, i datës 16 tetor, u ekzekutua gjashtë ditë me vonesë, më 22 tetor, vetëm pas ndërhyrjes së IPK-së.

Një tjetër dështim i evidentuar lidhet me mosshqyrtimin nga zinxhiri komandues të një emaili të 23 tetorit, të dërguar nga një hetues policor, i cili kishte kërkuar vlerësimin e rastit dhe mbështetje shtesë.

Në këtë komunikim, hetuesi kishte propozuar që, gjatë kohës sa Arlinda Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo të vizitohej nga patrullat policore me uniformë dhe të mbahej komunikim më i shpeshtë me të, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë.

IPK ka konstatuar gjithashtu dështime në zinxhirin komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimit të gjykatës kompetente.

“· Nga Policia e Kosovës nuk dokumentohet që është ekzekutuar urdhri mbrojtës C.11r.1300/26 i datës 7 shtator 2026;

• Urdhri i dytë mbrojtës i datës 16 tetor 2026 është ekzekutuar me 6 ditë vonesë më 22 tetor 2026, dhe atë pas ndërmarrjes së veprimeve zyrtare nga IPK e cila kishte pranuar fillimisht një informatë nga ankuesja – znj.Zekaj ;

• Mos trajtimi nga zinxhiri komandues i shkresës/emailit të datës 23 tetor 2026, të dërguar nga hetuesi policor i cili kërkon vlerësim të rastit dhe asistence në kapacitete. Hetuesi kishte vlerësuar që gjatë kohës që znj. Arlinda Zekaj ndodhej në shtëpi, të vizitohej nga patrulla të uniformuara policore dhe komunikim të shtuar me të, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë;

• Dështim i zinxhirit përgjegjës komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimit të nivelit të rrezikut dhe ekzekutimit të vendimit të Gjykatës kompetente duke përfshirë: Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin policor në Vitomiricë dhe njësitë e hetimeve nga niveli rajonal dhe në nivel stacioni”, thuhet në njoftium.

Këto dështime përfshijnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin Policor në Vitomiricë, si dhe njësitë e hetimeve në nivel rajonal dhe në nivel stacioni.

Bazuar në këto gjetje preliminare, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, përfshirë drejtues të nivelit rajonal e lokal dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

Burimi: Dukagjini