Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtoi rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor.
Në një përgjigje për Dukagjinin, IPK-ja ka bërë të ditur se veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe synojnë verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.
Sipas IPK-së, gjatë këtij procesi do të shqyrtohen edhe shqetësimet e ngritura në media lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë përgjegjës, përfshirë komunikimin me viktimën, kohën e reagimit dhe trajtimin e secilit raportim që ndërlidhet me rastin.
“Këto veprime po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe kanë për qëllim verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj. Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë edhe të gjitha shqetësimet e ngritura në media lidhur me veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës përfshirë por pa u kufizuar edhe komunikimin me viktimën, kohën e reagimit dhe të secilit raportim që ndërlidhet me këtë rast”.
IPK-ja ka bërë të ditur se qëllimi është të vlerësohet nëse veprimet policore kanë qenë në përputhje me ligjin, procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe të identifikohen përgjegjësitë eventuale individuale dhe institucionale.
Inspektorati ka theksuar se do ta trajtojë çështjen në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të gjithanshme, duke respektuar integritetin e procesit hetimor.
Burimi: Dukagjini
