Irani ka ndërmarrë të dielën një sulm me dronë ndaj një baze ushtarake amerikane në Bahrein, në përpjekjen e dytë për të goditur këtë vend brenda tri ditësh.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë bërë të ditur se kanë shënjestruar objektin e radarit të mbrojtjes ajrore amerikane në bazën ajrore Al-Riffa në Bahrein, duke përdorur gjashtë dronë.
Ndërkaq, ushtria e Bahreinit ka njoftuar se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe shkatërruar dronët iranianë para se ata të arrinin objektivat e tyre, raporton BBC.
Sulmi i së dielës vjen dy ditë pasi Irani kishte lëshuar dronë drejt Bahreinit, në sulmin e parë ndaj vendeve të Gjirit që nga shtatori.
Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përqendruar në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz. Megjithatë, transporti detar në këtë ngushticë është kufizuar që nga shpërthimi i luftës në shkurt.
Irani këmbëngul se duhet të ketë kontrollin mbi këtë ngushticë dhe ka sulmuar anijet që i konsideron si trafik të paautorizuar. Ndërkohë, ushtria amerikane po ofron mbrojtje për cisternat që transportojnë naftë përmes saj, me qëllim që të sigurohet vazhdimi i eksporteve nga shtetet arabe të Gjirit.
Të dielën, derisa sirenat e alarmit dëgjoheshin në Bahrein, Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve që të drejtoheshin në vendstrehimet më të afërta të sigurta.
Ministria e Jashtme e Bahreinit dënoi sulmet iraniane, duke e bërë Teheranin përgjegjës për pasojat e tyre.
“Mbretëria e Bahreinit dënon në termat më të ashpër sulmet e vazhdueshme brutale të Iranit në territorin e saj dhe e mban Iranin plotësisht përgjegjës për pasojat e tyre”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.
Në një deklaratë të publikuar nga transmetuesi shtetëror iranian, Garda Revolucionare pretendoi se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe paralajmëroi se çdo agresion amerikan do të përballet me një përgjigje edhe më të ashpër.
Më herët gjatë kësaj jave, IRGC kishte pretenduar se kishte goditur një sistem radari amerikan të paralajmërimit të hershëm në Bahrein, gjatë sulmit të së premtes.
Megjithatë, ushtria amerikane i kishte mohuar këto pretendime, duke thënë se Garda Revolucionare kishte lëshuar dy dronë sulmues drejt Bahreinit, por që të dy ishin rrëzuar nga forcat amerikane. Sipas saj, nga incidenti nuk kishte të lënduar dhe as dëme materiale.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar se SHBA-ja kishte kryer sulme të kufizuara në ishullin iranian Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit. Sipas tyre, sulmet kishin karakter mbrojtës dhe ishin ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj të shtënave të Gardës Revolucionare kundër një avioni amerikan.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi për shpërthime në ishullin Qeshm të hënën. Garda Revolucionare nuk komentoi sulmet, por pretendoi se kishte rrëzuar dy dronë amerikanë të tipit MQM-170 në jug të ishullit dhe një dron MQ-9 në lindje të Ngushticës së Hormuzit.
SHBA-ja dhe Irani kishin arritur në qershor një marrëveshje paraprake për përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, marrëveshja u shemb brenda disa javësh, pasi Irani rifilloi sulmet ndaj anijeve dhe SHBA-ja rivendosi bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
Negociatorët iranianë, në bashkëpunim me ndërmjetësuesit, kishin diskutuar një propozim për rihapjen e ngushticës brenda dy ditësh, nëse SHBA-ja do të plotësonte shtatë kushte. Ndër to raportohej se përfshiheshin heqja e bllokadës detare dhe lirimi i aseteve të ngrira të Iranit.
Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi gjatë kësaj jave se SHBA-ja nuk ishte më e interesuar për një marrëveshje për përfundimin e luftës me Iranin. Ai gjithashtu urdhëroi zëvendëspresidentin JD Vance, i cili ishte përfshirë në përpjekjet për rifillimin e negociatave, që të përqendrohej në politikën e brendshme amerikane.
Burimi: Dukagjini
