Barcola, i cili është transferuar nga Paris Saint-Germaini për rreth 123 milionë funte, nuk e kishte nisur në mënyrën më të mirë aventurën te Liverpool. Megjithatë, paraqitja ndaj skuadrës austriake ka qenë një sinjal pozitiv për vazhdimin e sezonit.
Iraola ka theksuar se në futboll lojtarët përballen vazhdimisht me vlerësime të skajshme, varësisht nga rezultatet dhe paraqitjet e tyre.
“Futbolli është kështu. Kur fiton një ndeshje, je i jashtëzakonshëm; kur ke një paraqitje të dobët, je katastrofë. Kështu do të jetë për Bradley Barcolan dhe për të gjithë ata që punojnë në futboll. Duhet ta pranojmë këtë”, ka deklaruar Iraola.
Trajneri ka shpjeguar se përshtatja e sulmuesit francez me kampionatin e ri dhe bashkëlojtarët është vështirësuar edhe nga lëndimet në skuadër, të cilat e kanë detyruar të bëjë ndryshime të vazhdueshme në formacion.
Cody Gakpo, Alexander Isak dhe Dominik Szoboszlai i kanë humbur dy ndeshjet e fundit për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë angazhimeve me përfaqësueset e tyre. Të tre janë në dyshim për ndeshjen e së shtunës kundër Brentfordit.
Iraola beson se sa më shumë minuta të luajë Barcola me bashkëlojtarët, aq më mirë do të përshtatet me stilin e lojës së Liverpool.
“Tani është çështje e gjetjes së formës më të mirë dhe krijimit të lidhjes me bashkëlojtarët, në mënyrë që të kuptohen më mirë mes vete dhe të dinë kur t’i sulmojnë hapësirat. Sa më shumë të luajë me ne dhe me bashkëlojtarët, aq më i mirë do të bëhet”, ka thënë trajneri.
Ndërkohë, Iraola ka bërë të ditur se është shtyrë edhe rikthimi i mbrojtësit Giovanni Leoni, i cili po rikuperohet nga një lëndim i rëndë në gju.
Mbrojtësi italian kishte pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL) në debutimin e tij për klubin, në shtator të vitit të kaluar.
Sipas Iraolas, lëndimi ka qenë më i rëndë sesa ishte menduar fillimisht, pasi përveç ligamentit, janë prekur edhe struktura të tjera të gjurit. Plani është që Leoni t’i rikthehet stërvitjeve gjatë pushimit të ardhshëm për ndeshjet e përfaqësueseve, pak më vonë nga sa ishte parashikuar.
Burimi: RTKLive
