Iseni: Pas suksesit me Kosovën, One Stop Shop do të zgjerohet edhe në pikat kufitare me Shqipërinë

Iseni: Pas suksesit me Kosovën, One Stop Shop do të zgjerohet edhe në pikat kufitare me Shqipërinë

Written by

in

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka theksuar se pas funksionalizimit të sistemit One Stop Shop me Republikën e Kosovës, po ndërmerret edhe hapi i radhës për zbatimin e këtij modeli të kontrollit të përbashkët kufitar me Republikën e Shqipërisë.

Sipas Isenit, marrëveshja me Shqipërinë parasheh përfshirjen e pesë vendkalimeve kufitare ndërmjet dy shteteve, me qëllim që qytetarët dhe transportuesit t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli kufitar, duke shmangur procedurat e dyfishta dhe duke shkurtuar kohën e pritjes.

Një ndër risitë e kësaj marrëveshjeje është përfshirja e pikës kufitare të Qafë Thanës në sistemin e kontrollit të përbashkët hyrje-hyrje, ku procedurat kufitare do të realizohen vetëm një herë.

Iseni ka rikujtuar rezultatet e zbatimit të sistemit One Stop Shop me Kosovën, duke theksuar se pritjet në kufi janë shkurtuar ndjeshëm, ndërsa qarkullimi është rritur për 50 për qind krahasuar me vitin e fundit para funksionalizimit të këtij sistemi.

Ai ka përmendur edhe projekte të tjera infrastrukturore dhe energjetike, si Korridori 8, aksi Shkup–Bllacë, lidhja Tetovë–Prizren dhe interkonjeksionet energjetike me Kosovën dhe Shqipërinë.

Sipas Isenit, këto projekte janë pjesë e një vizioni për forcimin e lidhjeve rajonale dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë.