Ish-ambasadori Greiçevci tregon si i bëri presion diplomatik Holandës për vizitat e krerëve të UÇK-së

Ish-ambasadori Greiçevci tregon si i bëri presion diplomatik Holandës për vizitat e krerëve të UÇK-së

Written by

in

Ish-ambasadori Greiçevci tregon si i bëri presion diplomatik Holandës për vizitat e krerëve të UÇK-së

Ish-ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, ka reaguar në gjashtëvjetorin e arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Përmes një postimi në Facebook, Greiçevci e ka cilësuar procesin gjyqësor në Hagë si politik, duke pretenduar se ai është i maskuar nën petkun juridik. Ai ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të krijojë urgjentisht një komision hetimor me ekspertizë ndërkombëtare për të zbardhur rrethanat që çuan në krijimin dhe zhvillimin e këtij procesi.

“Sot u bënë gjashtë vite të gjata e të rënda nga privimi i padrejtë nga liria i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky proces politik, i maskuar nën petkun juridik, do të mbetet në analet e historisë dhe të së drejtës si një njollë e pashlyeshme turpi, e cila i kalon me qindra herë përmasat e aferës së Dreyfus-it”, ka shkruar Greiçevci.

“Në rastin e Presidentit Hashim Thaçi, fletëarresti ishte lëshuar në mënyrë kundërkushtetuese. Jack Smith, me ndihmën e noterit të tij, Nicolas Guillou, atëbotë gjyqtar i procedurës paraprake, ndërsa tani gjyqtar i sanksionuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, kishin shpërfillur në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, KO 98/11, në bazë të të cilit Presidenti i Kosovës nuk mund të arrestohej sa ishte në detyrë. Presidenti Thaçi, me pjekuri shtetërore dhe për të mos e futur Kosovën në ndonjë krizë institucionale, kishte vendosur që të jepte dorëheqje dhe ishte dorëzuar vullnetarisht”.

Greiçevci ka rrëfyer edhe përvojën e tij personale gjatë kohës kur shërbente si ambasador i Kosovës në Holandë, duke kujtuar kontaktet e para me ish-krerët e UÇK-së pas transferimit të tyre në Hagë.

“Para gjashtë vitesh, unë gjendesha në Hagë si ambasador i Kosovës. E mbaj mend si sot kontaktin e parë me krerët e UÇK-së pas transferimit të tyre atje, i cili na u lejua vetëm me video dhe me telefon. Ishin momente thellësisht të rënda e prekëse. Më pas, ata jo vetëm që u mbyllën në paraburgim larg vendit, por edhe me muaj të tërë ua ndaluan të gjitha vizitat, madje edhe nga familjet e tyre dhe nga vetë ambasada, duke u thirrur në masat kundër COVID-it”, ka shkruar ish-ambasadori.

Ai ka treguar se kishte insistuar vazhdimisht pranë gjykatës dhe institucioneve holandeze që t’u mundësoheshin vizitat ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe vizitat familjare.

“Pas shumë insistimeve dhe protestimeve të mia të vazhdueshme në gjykatë për t’i lejuar vizitat, qoftë edhe me masa parandaluese të COVID-it, e mbaj mend që iu drejtova me një lloj ultimatumi Ministrisë së Jashtme të Holandës: në rast se nuk fillonin vizitat menjëherë, do ta denoncoja këtë rast publikisht, edhe përmes organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kjo këmbëngulje pati sukses dhe vizitat filluan, por të kufizuara fillimisht vetëm për familjarët e ngushtë dhe ambasadën në Hagë”, ka deklaruar Greiçevci.

Në reagimin e tij, ai ka veçuar edhe vështirësitë me të cilat, sipas tij, janë përballur familjet e ish-krerëve të UÇK-së gjatë këtyre gjashtë viteve, duke i cilësuar ato si heronjtë e heshtur të këtij procesi.

“Në këtë ditë të dhimbshme, dëshiroj t’i veçoj me nderim sidomos familjet, të cilat kanë vuajtur më së shumti për më të dashurit e tyre, duke mos i lënë asnjëherë vetëm në Hagë. Ato kanë hasur në vështirësi të shumta gjatë udhëtimit, duke mos pasur as edhe një fluturim direkt nga Kosova. Familjet janë heronjtë e heshtur dhe të palëkundur të këtij procesi”, ka shkruar ai.

“Kjo gjykatë ishte një thikë në shpinë për Kosovën. Çdo gjë rreth këtij procesi kundërmon tradhti, kurdisje dhe padrejtësi të kulluar. Kosova nuk kishte nevojë edhe për një gjykatë të katërt nga ndërkombëtarët. Tri sosh më herët kishin hetuar e gjykuar këdo që donin. Kjo është një gjykatë tërësisht politike dhe duhet trajtuar si e tillë”, ka deklaruar ish-ambasadori.

Ish-ambasadori ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndërmarrë hapa për hetimin e rrethanave të këtij procesi, duke ofruar edhe dëshminë e tij si person që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet e asaj kohe.

“Parlamenti i Kosovës do të duhej që urgjentisht ta krijonte një komision hetimor, me ekspertizë ndërkombëtare, për ta zbardhur të vërtetën e plotë se si ndodhi që Kosova u abuzua kaq rëndë në këtë mënyrë. Në rast se bëhet kjo, unë do të isha plotësisht i gatshëm të jap dëshminë time, qoftë të hapur ose të mbyllur, si dëshmitar i drejtpërdrejtë i tërë kësaj padrejtësie, që nga fillet e saj”, ka përfunduar Greiçevci./Klankosova.tv