Ish-futbollisti i Realit zbulon pikën e dobët të Flickut te Barcelona

Ish-futbollisti i Realit zbulon pikën e dobët të Flickut te Barcelona

Written by

in

Sipas tij, kjo dobësi u vu në pah edhe në humbjen 2:1 të Barcelonës ndaj Real Madridit në “El Clasico”, të zhvilluar në stadiumin “Spotify Camp Nou”.

Benito, i cili e vlerëson Flickun si trajner, beson se stili i lojës së gjermanit përmban rreziqe të mëdha kur Barcelona përballet me skuadra që kanë futbollistë të shpejtë dhe cilësorë, të aftë për të shfrytëzuar hapësirat e lëna prapa vijës së mbrojtjes.

“Kam thënë edhe vite më parë se më pëlqen shumë Flicku si trajner, por Barcelona, ndaj skuadrave të forta që luajnë në nivelin e tyre të zakonshëm, do ta gjejë veten pesë apo gjashtë herë përballë portierit kundërshtar në situata të rrezikshme”, ka deklaruar Benito.

Sipas analistit, vendosja e mbrojtjes shumë përpara mund të funksionojë kundër ekipeve që nuk kanë aftësinë ta shfrytëzojnë këtë hapësirë, por bëhet problem serioz ndaj kundërshtarëve me cilësi të lartë individuale.

Pavarësisht kritikave, Benito ka vlerësuar futbollin sulmues të Barcelonës, duke theksuar se skuadra e Flickut është në gjendje të dominojë shumicën e kundërshtarëve falë ritmit të lartë, presionit të vazhdueshëm dhe lojës dinamike.

Megjithatë, përballja me Real Madridin tregoi se kjo qasje mund të ketë pasoja kur përballë janë lojtarë si Kylian Mbappe dhe Jude Bellingham, të cilët dinë të përfitojnë nga hapësirat e krijuara në prapavijë.

Benito ka vlerësuar se madrilenët patën katër apo pesë raste në të cilat mund të kishin vepruar më mirë në pasimin e fundit dhe në vendimmarrjen para portës. Sipas tij, me më shumë saktësi në fazën sulmuese, Real Madridi mund t’i kishte shkaktuar Barcelonës një humbje edhe më të thellë.

Në anën tjetër, ish-futbollisti i Real Madridit ka lavdëruar organizimin dhe disiplinën kolektive të skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho.

Sipas tij, suksesi i madrilenëve nuk erdhi vetëm nga cilësitë në sulm, por edhe nga angazhimi i të gjithë futbollistëve në fazën e mbrojtjes dhe respektimi i detyrave taktike.

“Të gjithë vrapuan dhe kishin një plan mbrojtës, në të cilin askush nuk dilte nga detyrat e tij”, ka theksuar Benito.

Ai ka shpjeguar se organizimi i mirë defensiv i mundësoi Real Madridit të rikuperonte topin, t’ia vështirësonte lojën Barcelonës dhe më pas të shfrytëzonte potencialin e futbollistëve të saj në sulm.

Sipas Benitos, fitorja në “Camp Nou” përbën një pikënisje të rëndësishme për sezonin e Real Madridit, pasi dëshmoi se skuadra mund të zbatojë një plan të qartë taktik edhe në ndeshjet më të vështira.

Humbja në “El Clasico” ka nxjerrë kështu në pah dilemat që shoqërojnë stilin e lojës së Barcelonës, veçanërisht ekuilibrin mes presionit të lartë dhe sigurisë në mbrojtje.

Burimi: RTKLive