Ish-kandidati për president të Brazilit ikën me familjen në SHBA

Ish-kandidati për president të Brazilit ikën me familjen në SHBA

Written by

in

Flavio Bolsonaro është larguar nga Brazili dhe ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, pak ditë pas humbjes në zgjedhje.

Lajmi është konfirmuar për Reuters nga një burim pranë senatorit brazilian.

Largimi i tij ndodhi vetëm disa orë pasi policia braziliane njoftoi anulimin e pasaportave të tij.

Autoritetet thanë se Bolsonaro nuk kishte respektuar urdhrin për dorëzimin e tyre brenda 24 orëve. Masa ishte marrë në kuadër të një hetimi për dyshime për pastrim parash, akuza të cilat ai i ka mohuar.

Ky zhvillim rikthen në vëmendje rastin e babait të tij, ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili u largua drejt SHBA-së pasi nuk e pranoi humbjen ndaj Luiz Inacio Lula da Silvës në zgjedhjet e vitit 2022.

Ai u kthye më vonë në Brazil dhe u dënua me 27 vjet burgim për përfshirje në një komplot për grusht shteti.

Flavio Bolsonaro, ndërkohë, nuk e ka pranuar zyrtarisht rezultatin zgjedhor. Të dielën, ai paralajmëroi se do të kërkonte anulimin e tij, duke pretenduar se kishte pasur parregullsi gjatë votimit. Megjithatë, një ditë më vonë, Partia Liberale, së cilës ai i përket, deklaroi se e pranonte fitoren e Lulës.

Pas përfundimit të numërimit, Lula, 80 vjeç, mori 51,79 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i tij 45-vjeçar siguroi 48,21 për qind.

Analistët vlerësuan se pjesëmarrja e lartë e qytetarëve në zgjedhje mund të ketë qenë një nga faktorët që ndikuan në rezultatin përfundimtar. /Telegrafi/