
Majlinda Bregasi, e cila në të kaluarën ka qenë kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është përfshirë në listën e personave të propozuar për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Propozimi i saj është bërë nga ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, ndërsa kandidatura është vënë në diskutim gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka ngritur çështjen e angazhimit të mëparshëm politik të Bregasit në partinë që aktualisht është në pushtet.
Bregasi ka qenë kandidate për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.
Ndërkaq, propozimi për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Shkencës ka nxitur debat edhe për kualifikimet arsimore të kandidatëve.
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka deklaruar në Kuvend se njëri prej personave të propozuar nuk e ka përfunduar as nivelin Bachelor.
Burimi: Insajderi