Ish-kreu i Policisë italiane gjendet i vdekur në vilën e tij

Ish-kreu i Policisë italiane gjendet i vdekur në vilën e tij

Written by

in

Ish-kreu i Policisë italiane gjendet i vdekur në vilën e tij

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë italiane, Gianni De Gennaro, është gjetur pa shenja jete në moshën 78-vjeçare në vilën e tij të pushimit në Toskanë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas raportimeve të mediave italiane, dyshimet e para janë se ish-zyrtari i lartë i sigurisë i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.

Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur përfaqësues të Prokurorisë së Grosseto-s, mjeku ligjor dhe ekspertët e policisë shkencore, të cilët kanë nisur hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje.

Kjo ngjarje e rëndë vjen në një periudhë tepër delikate, pasi De Gennaro po përballej me një hetim të Prokurorisë së Caltanissetta-s. Hetimet kishin të bënin me dyshimet për pengim dhe devijim të hetimeve lidhur me atentatin mafioz të vitit 1992 në rrugën “Via D’Amelio”, ku mbeti i vrarë gjyqtari i njohur antimafia, Paolo Borsellino.

Konkretisht, emri i tij ishte përfshirë në hetimet për zhdukjen e të ashtuquajturës “axhenda e kuqe” e gjyqtarit Borsellino – një dokument kyç që konsiderohet vendimtar për zbardhjen e plotë të prapaskenave të atentatit. Ditët e fundit, autoritetet kishin kryer bastisje dhe kontrolle në disa prona të tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje.

Sipas pretendimeve të organit të akuzës, ish-kreu i policisë dhe disa bashkëpunëtorë të tij dyshohet se kishin penguar dhënien e dëshmive dhe kishin fshehur dokumente të rëndësishme hetimore. Megjithatë, këto dyshime mbeteshin në fazën e hetimeve dhe ende nuk kishte asnjë vendim gjyqësor që do të vërtetonte fajësinë e tij.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali