Myrto Uzuni është shprehur i lumtur pas fitores së Shqipërisë me rezultat 0-2 në udhëtim ndaj Bjellorusisë, duke e cilësuar këtë përballje si një finale për kuqezinjtë.
Sulmuesi beratas, në prononcimin pas ndeshjes për “Supersport”, vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se të gjithë futbollistët dhanë maksimumin për të arritur tri pikët.
“Kemi bërë një ndeshje shumë të madhe sot, ka qenë një finale për ne. E dimë kualitetin tonë, erdhëm për të fituar dhe çunat kanë bërë një ndeshje të madhe”.
Ai nuk harroi as tifozët, të cilët i cilësoi si forcën më të madhe të Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa theksoi se dy fitoret e fundit ishin plotësisht të merituara.
“Tifozët kanë qenë forca jonë më e madhe. Të dy fitoret kanë qenë më se të merituara. Gjithmonë i marrim ndeshjet një nga një. Krijojmë më shumë raste tani përpara dhe të gjithë lojtarët japin maksimumin”, përfundoi ai.
Ndërkohë, Shqipëria me këtë fitore e siguroi edhe një vend në vazon e tretë të “Euro 2028”, me shortin që do të tërhiqet në fillimin e muajit dhjetor./Telegrafi/