Ismaili takon Kurtin, në fokus aplikimi i Kosovës në SEPA dhe reformat në sektorin financiar

Ismaili takon Kurtin, në fokus aplikimi i Kosovës në SEPA dhe reformat në sektorin financiar

Written by

in

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim pune me kryeministrin Albin Kurti, ku në fokus kanë qenë përgatitjet përfundimtare për aplikimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe reformat në sektorin financiar.

Sipas njoftimit të BQK-së, Ismaili e ka informuar Kurtin për zhvillimet e fundit në sektorin financiar, qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe progresin e reformave që po zbatohen nga Banka Qendrore.

Gjatë takimit është diskutuar veçanërisht procesi i aplikimit në SEPA, përmbushja e kritereve përkatëse dhe hapat e mbetur për dorëzimin e aplikimit formal pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC).

Në këtë kontekst, guvernatori Ismaili ka vlerësuar miratimin e ndryshimeve në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, si një zhvillim të rëndësishëm për avancimin e procesit të anëtarësimit në SEPA.

Në takim është diskutuar edhe agjenda legjislative dhe rregullative për reformat strukturore në sektorin financiar, përfshirë angazhimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte modernizimi i sistemeve të pagesave, ku Ismaili e ka informuar kryeministrin për progresin në zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta, të njohur si TIPS Clone.

Sipas BQK-së, zhvillimi i këtij sistemi dhe integrimi në SEPA pritet të rrisin efikasitetin e pagesave, të ulin kostot e transaksioneve dhe të zgjerojnë mundësitë për qytetarët dhe bizneset.

Në përfundim të takimit, është riafirmuar përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të stabilitetit financiar, modernizimit të sektorit dhe integrimit evropian të Kosovës, duke respektuar mandatin dhe pavarësinë institucionale të Bankës Qendrore./Telegrafi/