Italia dhe Spanja kanë rënë dakord të heqin kontrollet kufitare ndaj qytetarëve të njëra-tjetrës, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje tre mujore të shkaktuar nga fluksi i migrantëve drejt enklavës spanjolle të Ceutës, njoftoi të enjten Ministria e Brendshme e Italisë.
Qeveria e djathtë italiane i kishte pezulluar marrëveshjet për lëvizjen e lirë me Spanjën më 31 korrik, duke argumentuar se dëshironte të sigurohej që migrantët që hynin në Ceuta të mos vazhdonin udhëtimin drejt territorit italian.
Madridi reagoi duke vendosur masa të ngjashme ndaj Italisë, ndërsa i cilësoi veprimet e Romës si “të padrejta, në kundërshtim me interesat e Bashkimit Evropian dhe diskriminuese ndaj popullsisë së Spanjës”, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit italian, ministrat e Brendshëm të të dy vendeve zhvilluan një bisedë telefonike dhe ranë dakord të mos e zgjasin pezullimin e marrëveshjeve të zonës Schengen, që mundësojnë lëvizjen pa kontrolle të rregullta kufitare mes vendeve pjesëmarrëse.
Ministria italiane bëri të ditur se vendimi u mor pas një vlerësimi të kujdesshëm të situatës dhe do të shoqërohet me shkëmbim më të madh të informacionit, me synimin për të garantuar sigurinë e zonës së përbashkët Schengen. /Telegrafi/