
Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, ka sulmuar ashpër Portugalinë pas humbjes poshtëruese 4-1 ndaj Danimarkës.
Dolores Aveiro ka pretenduar se kjo humbje ishte plotësisht e merituar, madje ka pranuar se ishte e lumtur që Kombëtarja e Portugalisë pësoi disfatë.
Deklaratat e saj të bujshme erdhën pasi ajo akuzoi Portugalinë se nuk i kishte treguar djalit të saj, yllit Cristiano Ronaldo, respektin që meriton.
Aveiro ishte veçanërisht e revoltuar për një ceremoni nderimi kushtuar Ronaldos, për të cilën beson se duhej të ishte organizuar në praninë e vetë futbollistit 41-vjeçar.
“Humbja ishte plotësisht e merituar dhe unë isha e lumtur për këtë”, ka deklaruar ajo.
“Homazhi duhej t’i bëhej në praninë e tij”, shtoi Aveiro.
Ajo këmbënguli se klubi ku Ronaldo nisi karrierën, Sporting Lisbona, dinte se si ta nderonte siç duhet fituesin e pesë Topave të Artë.
“Është këtu, te Sportingu, ku do ta nderojmë atë. Këtu e njohin vlerën e tij”, vazhdoi ajo.
Megjithatë, kritikat më të mëdha nëna e Ronaldos i rezervoi për bashkëlojtarët e tij në Kombëtaren e Portugalisë, të cilët i akuzoi për mungesë respekti ndaj legjendës portugeze.
“Me Kombëtaren, ai nuk është respektuar, madje as nga bashkëlojtarët e tij”, ka thënë e revoltuar Aveiro.
Ronaldo është golashënuesi dhe futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e Kombëtares së Portugalisë, të cilën e ka përfaqësuar për më shumë se dy dekada.
Deklaratat e bujshme të nënës së tij pritet të shkaktojnë reagime të shumta në Portugali, pasi sulmuesi veteran vazhdon të jetë njëri prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Për deklaratat e Dolores Aveiros është pyetur edhe trajneri Jorge Jesus, me të cilin Ronaldo kishte pasur një përplasje para se të pensionohej nga Kombëtarja. Megjithatë, ai ka refuzuar të përfshihet në një përplasje verbale me nënën e yllit portugez.
Në vend të kësaj, 72-vjeçari ka thënë se e kupton reagimin e saj dhe se ka vetëm respekt për të.
“A duhet tani t’i përgjigjem nënës së Cristiano Ronaldos? Edhe nëna ime është nënë. Nëna e Cristiano Ronaldos është një zonjë për të cilën kam respekt të madh. Nëna mbetet nënë, nuk mund të bësh asgjë kundër kësaj. I kuptoj deklaratat e saj”, ka thënë Jesus.
Burimi: Insajderi