Në fund, Jensen Huang dukej i thyer dhe i shkatërruar; energjia e tij legjendare ishte shteruar.
Pas javësh të tëra duke mohuar akuzat për pabesi dhe duke luftuar për të mbajtur postin e drejtorit ekzekutiv në Nvidia Corp., dorëzimi i tij, vonë të mërkurën në mbrëmje, ishte i pakushtëzuar.
Qëndrimi i tij i zakonshëm, i karakterizuar nga marrja e kontrollit dhe vendosmëria, ishte zhdukur – sipas një personi të njohur me situatën – dhe ai kishte filluar të përdorte shprehje si “s’ka rëndësi” apo “nuk më intereson”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Për dekada të tëra, ndërsa e shndërronte Nvidia-n në një gjigant shumë-trilionë-dollarësh të çipave për inteligjencën artificiale (AI), Huang njihej për vëmendjen e tij ndaj detajeve më të imta: nga arkitektura e çipave e deri te paketat e shpërblimit edhe për punonjësit e nivelit më të ulët në kompani.
Tani, në sytë e të pranishmëve në dhomë, ai ishte dorëzuar plotësisht.
Sipas personave që kanë biseduar me të ditët e fundit, Huang ka shfaqur pendesë të thellë, duke e quajtur veten “një copë muti”.
Ishte një rënie jashtëzakonisht e shpejtë për një miliarder dhe titan të teknologjisë, i cili, vetëm dy javë më parë, ishte fytyra e inteligjencës artificiale në mbarë botën.
Me drejtpërdrejtësinë dhe energjinë e tij, ai kishte fituar simpatinë e presidentit amerikan Donald Trump, kishte ndikuar në politikat globale të teknologjisë dhe kishte tërhequr turma admiruesish gjatë turneve të tij ndërkombëtare, të cilat ngjanin me vizitat e një pape.
Është e vështirë të imagjinohet hovi aktual i inteligjencës artificiale pa Huang-un, kompaninë e tij dhe çipat e tyre; po ashtu, është e vështirë të parashikohet se si do të duket situata pas rënies së tij.
Siç shkroi Harvey Jones, kryetari i bordit të drejtorëve, në një email drejtuar punonjësve pas largimit të Huang-ut: “Kontributet e Jensen-it për Nvidia-n janë thelbësore. Nvidia është një nga kompanitë teknologjike me ndikimin më të madh në botë”.
Dhe siç thuhet në shkrimin në fjalë, Huang nuk ishte i disponueshëm për koment.
Kur doli lajmi, në fund të tetorit, se Huang kishte lidhje të ngushta me një grua të dyshuar si spiune kineze, dukej se ai do t’ia dilte mbanë.
Bordi i drejtorëve – i përbërë kryesisht nga investitorë të vjetër, partnerë biznesi dhe miq të Huang-ut – hezitonte të ndërmerrte veprime bazuar në këto lajme, apo qoftë edhe t’i komentonte ato publikisht.
Shumica e raportimeve mediatike e trajtonin me shumë kujdes dhe në mënyrë të tërthortë natyrën e saktë të marrëdhënies së drejtorit ekzekutiv me Alice Huang-un, gruan e dyshuar si spiune.
Huang mohoi para miqve dhe kolegëve se kishte qenë jobesnik ndaj bashkëshortes së tij.
Ai e kishte mohuar këtë gjë sa herë që ishte pyetur brenda kompanisë, që nga fundi i vitit 2025.
Në një nga intervistat e tij të fundit si CEO, Huang i tha Bloomberg News se marrëdhënia e tij me Alice Huang ishte tipike për marrëdhëniet me klientët dhe drejtuesit kinezë.
“Gjithçka ishte krejtësisht normale dhe aspak e pazakontë”, tha ai.
Por një pikë kthese erdhi të premten e kaluar, më 6 nëntor, kur një artikull në Financial Times citoi zyrtarë amerikanë të cilët deklaruan se marrëdhënia kishte qenë romantike.
Pak më vonë, këshilltari i përgjithshëm i Nvidia-s, Tim Teter, shkoi në shtëpinë e Huang-ut për ta ballafaquar atë, dhe Huang e pranoi të vërtetën.
Në atë moment, shumica e anëtarëve të bordit ende nuk donin të mbanin një qëndrim publik, por Teter, i cili shërben si sekretar i bordit, u tha atyre se duhej të vepronin.
Bordi njoftoi se do t’i hetonte pretendimet.
Një firmë ligjore e njohur, Wachtell, Lipton, Rosen & Katz, do të drejtonte hetimin.
Të dielën, Huang dërgoi një email për të gjithë kompaninë, duke pranuar lidhjen, duke i kërkuar falje familjes së tij dhe duke u zotuar se do të “bashkëpunonte plotësisht” me hetimin e bordit.
Ndërsa skandali merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha, u shfaqën prova se ai – ndoshta jo çuditërisht – po e shpërqendronte Huang-un nga detyrat e tij të shumta në kompani.
Për shkak të strukturës së veçantë organizative të Nvidia-s, Huang kishte rreth 60 drejtues që i raportonin drejtpërdrejt atij – një “ushtri e vogël” sipas standardeve të zakonshme të menaxhimit.
Të gjithë punonjësit e kompanisë duhej të dërgonin email-e ku rendisnin pesë prioritetet e tyre kryesore; Huang i përdorte këto për t’u siguruar që të gjithë po punonin për atë që ai e konsideronte më të rëndësishme.
Zakonisht, ai u përgjigjej atyre menjëherë, në çdo orë të ditës apo të natës. Por, ditët e fundit, koha e përgjigjes ishte zgjatur.
Ndërkohë, të mërkurën, New York Times raportoi se Huang kishte gjithashtu një lidhje jashtëmartesore me Kimberly Powell, nënkryetaren e Nvidia-s për sektorin e kujdesit shëndetësor.
Këtë herë, bordi veproi shpejt.
Anëtarët e bordit u mblodhën në distancë të mërkurën dhe takimi zgjati deri vonë në natë.
Në fund, Huang-ut nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse të jepte dorëheqjen, duke humbur kështu çdo rol zyrtar në kompaninë që ai e kishte bashkëthemeluar.
Të nesërmen në mëngjes, bordi njoftoi se Drejtoresha Financiare, Colette Kress, do të merrte detyrën e Drejtores Ekzekutive (CEO) të përkohshme.
Ajo u përpoq menjëherë t’i qetësonte punonjësit e shqetësuar.
“Besoj thellësisht në këtë kompani dhe në të ardhmen e saj”, shkroi Kress në një email të parë nga Bloomberg.
“Mbi të gjitha, besoj tek secili prej jush, tek klientët dhe partnerët tanë, si dhe tek roli thelbësor që luajmë çdo ditë në ekonominë globale. Bordi, stafi dhe unë jemi të vetëdijshëm se kjo ka qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë, dhe dua ta dini se sa mirënjohës jemi për qëndrueshmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj të vazhdueshëm. Faleminderit”.
Ajo premtoi të organizonte një mbledhje me të gjithë punonjësit më 18 nëntor.
Një ditë më parë, Nvidia pritet të publikojë rezultatet e saj dhe të bëjë të ditur atë që analistët e Wall Street-it e parashikojnë si një rritje të shitjeve tremujore që pothuajse do të dyfishohet.
Tani, bordi përballet me sfidën e vështirë për të gjetur një zëvendësues për Huang-un.
Disa drejtues që mendohet se mund të jenë në listën e ngushtë janë: Lisa Su, CEO e Advanced Micro Devices Inc., dhe Rene Haas, CEO i Arm Holdings Plc.
Është e vështirë të imagjinohet dikush që mund t’i mbulojë të gjitha rolet e tij – teknolog, drejtues, ekspert marketingu, lobist, simbol i kompanisë – ndërkohë që kompania nuk është kujdesur kurrë të hartojë një plan tradicional për pasardhës.
Kështu, për mirë apo për keq, në të ardhmen Nvidia do të fillojë t’i ngjajë më shumë një kompanie të zakonshme, të menaxhuar në një mënyrë më të rregullt.
Sa i përket vetë Huang-ut, ai nuk do të mund të tërhiqet nga jeta publike, edhe sikur ta dëshironte këtë.
Në javët në vijim, ai pritet të dëshmojë para Kongresit, ku politikanët do ta pyesin për marrëdhënien e tij me Alice Huang-un dhe nëse kjo mund t’i ketë vënë në rrezik disa nga sekretet e çipave të teknologjisë së përparuar të Nvidia-s.
Sipas personave që kanë biseduar me të, ditët e fundit Huang-u ka deklaruar se nuk i intereson më se çfarë do të ndodhë me të.
Ai shprehet se shqetësimi i tij kryesor është bashkëshortja, si dhe dëshira për të mos “shkatërruar jetët” e grave të shumta që, në opinionin publik, përfliten se janë të lidhura me të në mënyrë romantike. /Telegrafi/