
Jastëkët rekomandohet të lahen çdo tre deri në gjashtë muaj, ndërsa ekspertët këshillojnë që të ndërrohen çdo një deri në dy vjet, për të ruajtur higjienën dhe cilësinë e gjumit.
Edhe pse shumica e njerëzve kujdesen rregullisht për larjen e këllëfëve të jastëkëve, vetë jastëkët shpesh neglizhohen dhe mbeten të papastruar për vite me radhë.
Gjatë përdorimit të përditshëm, në ta grumbullohen djersë, pështymë, yndyrë, qeliza të vdekura të lëkurës, marimanga pluhuri dhe baktere. Këto papastërti mund të shkaktojnë alergji, irritime të lëkurës dhe probleme me frymëmarrjen.
Ekspertët rekomandojnë që jastëkët sintetikë dhe ata me pupla të lahen në lavatriçe, duke respektuar udhëzimet e prodhuesit në etiketë. Ndërkaq, jastëkët me shkumë memorie dhe ata prej lateksi duhet të pastrohen vetëm në sipërfaqe.
Një tjetër hap i rëndësishëm është tharja e plotë e jastëkëve pas pastrimit, në mënyrë që të parandalohet krijimi i mykut.
Sa i përket këllëfëve mbrojtës, rekomandohet që ata të lahen çdo një deri në dy javë.
Ka disa shenja që tregojnë se jastëku duhet të ndërrohet. Humbja e formës, krijimi i gungave, zverdhja, si dhe dhimbjet në qafë ose shpatulla pas zgjimit, mund të jenë tregues se ai nuk po ofron më mbështetjen e duhur.
Në rastet kur në jastëk shfaqet myk, rekomandohet që ai të hidhet menjëherë.
Përveç ndikimit në higjienën e gjumit, jastëkët e vjetër mund të humbasin aftësinë për të mbështetur siç duhet kokën dhe qafën, duke ndikuar kështu edhe në cilësinë e pushimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali