Java nis me mot të vranët dhe reshje shiu, në viset e larta pritet edhe borë

Java nis me mot të vranët dhe reshje shiu, në viset e larta pritet edhe borë

Written by

in

Java e parë e nëntorit në Kosovë pritet të karakterizohet me mot kryesisht të vranët, reshje të herëpashershme shiu dhe temperatura të ulëta.

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHK), nga e hëna deri të premten (2–6 nëntor), reshjet më të theksuara pritet të jenë të martën, kur në viset e larta parashihen edhe reshje të përziera shiu dhe bore.

Temperaturat minimale gjatë kësaj jave do të lëvizin nga -1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 5 deri në 11 gradë.

Të hënën parashikohet mot kryesisht i vranët, me mundësi për riga lokale shiu. Të martën priten reshje shiu, ndërsa në viset e larta edhe reshje të përziera shiu dhe bore.

Edhe të mërkurën moti do të jetë i vranët, me mundësi për reshje lokale, ndërsa të enjten pritet të mbajë kryesisht i vranët.

Përmirësim gradual i motit parashihet të premten, kur krahas vranësirave do të ketë edhe intervale me diell.

Sipas IHK-së, era gjatë kësaj periudhe do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.

Instituti vlerëson se kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht mesatarisht të pafavorshme, për shkak të vranësirave, reshjeve dhe temperaturave të ulëta. Për këtë periudhë rekomandohet përdorimi i veshjeve më të ngrohta, veçanërisht gjatë mëngjeseve të ftohta.

Burimi: Dukagjini