“Jemi majmunët më arrogantë nga të gjithë”: Një takim që zgjeron horizontet e mendjes

“Jemi majmunët më arrogantë nga të gjithë”: Një takim që zgjeron horizontet e mendjes

Written by

in

Intervistë me legjendën e rokut, Peter Gabriel
Intervistoi: Alexis Petridis / The Guardian (titulli: ‘We’re the most arrogant of all apes!’ A delightfully mind-expanding encounter with Peter Gabriel)
Përkthimi: Telegrafi.com

Peter Gabrieli kërkon ta marr laptopin tim: dëshiron të ma tregojë një video të vetes duke luajtur një duet në tastierë me një bonobo të quajtur Kanzi. Për të qenë të drejtë, pamjet në fjalë janë, siç sugjeron Gabrieli, “të jashtëzakonshme”. Duke punuar me primatologen Sue Savage-Rumbaugh, e cila zhvilloi një mënyrë komunikimi me bonobot – që përfshinte gjuhën e shenjave dhe një tastierë për sintezën e të folurit – Gabrieli luan akorde të zgjatura në një sintetizator, ndërsa Kanzi zgjedh nota plotësuese në piano. “Shiko, asaj i pëlqen ajo notë, që është nëntëshe, dhe pastaj e gjen oktavën”, thotë ai me entuziazëm ndërsa luhet videoja. “Ka një muzikalitet të vërtetë aty”.

E gjithë kjo është thellësisht e pazakontë, por duket si ilustrimi i përkryer se sa lehtë një bisedë me Gabrielin mund të dalë krejtësisht – edhe pse në mënyrë interesante – jashtë piste. Kam vetëm 10 minuta në shoqërinë e tij, aq sa për ta bërë vetëm një pyetje për albumin e tij të ri epik oi: 13 pjesët e tij zgjasin pothuajse 90 minuta, rezultat ky – sugjeron ai – i një interesi të kahershëm për muzikën afrikane “që më bëri të kuptoj se një këngë mund të zgjasë aq sa mund të zgjasë një këngë”, dhe i “të qenit mjaftueshëm i vjetër për të menduar ‘djalli le ta hajë’, vërtet”. Për këdo që mendon se një orë e gjysmë art-rok i aranzhuar në mënyrë mrekullueshme, me produksion të bukur dhe herë pas here thellësisht i çuditshëm – tingulli i të cilit ndryshon formë nga A Hard Lesson, me nuanca folku, te ngjyrimet e ndritshme pop të Till Your Mind Is Shining – është një ofertë tepër e varfër, ai vjen në dy versione: një miks “i errët” nga producenti amerikan Tchad Blake dhe një version “i ndritshëm”, punë e Mark “Spike” Stentit që është i famshëm për punën me secilin, nga U2 dhe Madonna te Frank Ocean dhe Harry Styles.

Kisha përmendur dy versionet, një pyetje krejt rutinë, por ajo shndërrohet shpejt në një diskutim për zëvendësimin e mundshëm të stereove të makinave me sisteme zhytëse zanore, e më pas kalon papritur në një shpjegim të punës së Michael Levinit, një profesor amerikan i bioinxhinierisë që është i specializuar në morfogjenezë. “Ai ka gjetur disa udhëzime bioelektrike që mund të bëjnë, për shembull, që një sy të rritet në këmbën e një bretkose”, thotë Gabrieli, dhe me sa duket ka “krijuar forma jete që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë, gjë që e sfidon vërtet evolucionin”. Gabrieli është i interesuar t’i “sonifikojë” disa nga të dhënat e tij dhe t’i përdorë në një miks të mëvonshëm të albumit.

Prej andej, kalojmë te inxhinieri i softuerit Blaise Agüera y Arcas, eksperimentet e të cilit me një gjuhë ezoterike programimi të viteve ’90, të quajtur Brainfuck, e kanë çuar tek “ideja radikale se disa konstante në matematikë mund të kenë në të vërtetë ndonjë formë jete”. Kjo na çon, përmes “rivlerësimit të asaj se çfarë është vetëdija dhe çfarë është inteligjenca”, te bindja e pionierit të internetit Vint Cerf se përpjekja për të komunikuar me specie të tjera inteligjente mund të na përgatisë për mundësinë e takimit me jashtëtokësorë, dhe kështu te Savage-Rumbaugh dhe bonoboja Kanzi.

“Ajo i lejonte bonobot të shikonin video dhe të zgjidhnin videot që shikonin”, thotë Gabrieli duke qeshur, “dhe e parapëlqyera e tyre, ndoshta siç mund të pritej, ishte Planet of the Apes, pastaj Harry and the Hendersons, që është një film për një saskuaq që erdhi të jetonte me një familje. E gjithë kjo më mahniti. Mendoj se ne jemi majmunët më arrogantë nga të gjithë dhe ka kaq shumë inteligjencë që kemi zgjedhur ta shpërfillim dhe, në vend të kësaj, ta shohim botën si diçka që është tërësisht në dispozicion për shfrytëzimin tonë, dhe mendoj se kjo na ka kushtuar, siç po mësojmë tani”.

Morfogjeneza, komunikimi ndërmjet specieve, rivlerësimi i vetëdijes: është e vetëkuptueshme se zakonisht nuk përfundon duke diskutuar këto gjëra kur e pyet një legjendë madhështor të rokut për albumin e tij më të fundit. Por, siç del, pikërisht kjo ndodh në mënyrë të pashmangshme kur e pyet Gabrielin. Takohemi në një lokal jo larg shtëpisë së tij në Noting Hill. Ai thotë se është këtu “për ta shitur albumin e ri”, por pothuajse çdo pyetje për të duket se e çon diku krejt tjetër: shkenca, aktivizmi, natyra e vetëdijes, mënyra se si gjuha është “mjet mjaft i papërpunuar” për komunikim, kurset kontroverse të vetëpërmirësimit të Werner Erhardit në vitet 1970.

Nuk mund t’ia marrësh si ves larminë e interesave, edhe nëse pikërisht kjo larmi interesash është arsyeja pse i duhet kaq shumë kohë për të bërë albume. oi është, në thelb, pjesa e dytë e një projekti që nisi me i/o të vitit 2023, që ishte albumi i tij i parë me material të ri në 21 vjet. Ashtu si paraardhësi i tij, ai përmban këngë me të cilat Gabrieli është marrë për dekada: ai nisi punën për A Hard Lesson në vitin 1989, kur ishte ende një yll i madh i popit të rrymës kryesore falë [albumit] So të vitit 1986 – një album që shiti më shumë se pesë milionë kopje vetëm në ShBA.

Po, pranon ai, është pak e çuditshme ta gjesh veten, në moshën 76-vjeçare, ende duke punuar në këngë që ke nisur t’i shkruash kur ishe në të 30-at: “E njoh atë djalë, por është e pashmangshme të marrësh vendime të ndryshme pasi ke jetuar pak më gjatë”. Por, kështu është. Mikja e tij Laurie Anderson dikur sugjeroi se problemi i Gabrielit ishte se ai interesohej më shumë për procesin e krijimit të diçkaje sesa për përfundimin e tij. Ai mendon se problemi i vërtetë është se shpërqendrohet lehtë.

“Nëse ke njëfarë suksesi, përfundon duke takuar lloj-lloj njerëzish e duke bërë biseda magjepsëse të cilat të çojnë në devijime dhe mendon: ‘Epo, jeta është për t’u jetuar’”, thotë ai. “Nëse hipën në atë shirit transportues album-turne-album, nuk ka kohë të marrësh frymë apo të kesh çfarëdo lloj jete, dhe kjo gjithmonë më është dukur disi e trishtueshme. Mendoj se devijimet e ushqejnë muzikën. E di, nëse do mut të një cilësie më të mirë, duhet të hash një dietë më të larmishme”.

Këtu nis natyra digresive e intervistës sonë. Duket se Gabrieli ka zhvilluar një teori vërtet intriguese, pothuajse për gjithçka, nga parqet tematike te funeralet: ai mendon se njerëzit duhet të “mbjellin një pemë mbi trupin e tyre të vdekur, ose mbi trupin e vdekur të njerëzve të tyre të dashur, kështu që do të krijoheshin pyje ku nuk do të kishte asnjë shenjë, por nëse shkon dhe ulesh nën pemën e babait tënd, telefoni yt do ta kishte pozicionin GPS dhe do të filloje të shihje videot e tij, të dëgjoje zërin e tij, të gjitha të dhënat digjitale do të lidheshin me atë pikë GPS-i”.

Për më tepër, ai ka një mënyrë jashtëzakonisht tërheqëse për të folur për të gjitha këto gjëra, duke shfaqur aq shumë entuziazëm dhe kureshtje saqë të merr me vete: nëse rastësisht do të doje të propozoje idenë e rritjes së syve në këmbët e bretkosave, vështirë se do të gjeje shitës më të mirë se Gabrielin. Ndoshta e ndihmon fakti që Gabrieli ka një histori jashtëzakonisht mbresëlënëse të të menduarit përpara kohës së vet.

Në kulmin e famës së tij si frontmeni i grupit Genesis, ai ishte mjaft zgjuar për ta kuptuar se zhanri i rokut progresiv, që kishin ndihmuar ta shpiknin, po bëhej tepër pompoz dhe i shkëputur nga realiteti – “duke kërcyer vërdallë në botën e zanave”, siç e formuloi dikur – dhe se grupi që kishte formuar mund të ishte më i suksesshëm pa të. Mendimi i fundit nuk ishte shumë i pëlqyer nga pjesa tjetër e anëtarëve, por megjithatë u dëshmua krejt i saktë.

Disa vjet më vonë, ai ishte artisti i parë britanik që kuptoi se e ardhmja e popit qëndronte te semplimi: për njëfarë kohe në fillim të viteve ’80, nëse doje të përdorje një sempler në këngën tënde të re, duhej ta merrje hua atë të Gabrielit, sepse ai ishte personi i parë në vend që zotëronte një të tillë; më pas ai krijoi një kompani për ta importuar dhe shpërndarë teknologjinë e re. Njëzet vjet më vonë, e kuptoi shumë shpejt idenë se muzika do të ishte kryesisht në internet, duke bashkëthemeluar një platformë transmetimi që mund të ishte bërë standardi i industrisë – po të mos ishte lansuar pikërisht në të njëjtën kohë me një konkurrent të quajtur Spotify.

Nëse kishte të drejtë për gjithçka, nga semplat te onlajni e deri te karriera e mëvonshme e grupit Genesis, ndoshta ka të drejtë edhe për IA-në [inteligjenca artificiale]. Në një botë muzikore të mbushur me njerëz që dënojnë ndikimin e saj të dëmshëm, Gabrieli është një nga të paktët mbështetës të saj të profilit të lartë: kohët e fundit ai sugjeroi se, në fund, “gjithçka do të bëhet më mirë” nga IA-ja sesa nga njerëzit.

Ai e thotë sërish sot, ndonëse me rezerva. “Zbatimi i IA-së dhe robotëve në luftë është vërtet i frikshëm. Ekziston ndjesia se po krijojmë një specie që është shumë, shumë më inteligjente se ne. Nëse shikojmë përreth, nuk ka shumë shembuj të mirë të specieve inteligjente që kujdesen për specie më pak inteligjente, përveçse si kafshë shtëpiake. Mund ta shihni shqetësimin në fytyrën e [shkencëtarit të kompjuterëve dhe ‘nunit të IA-së’] Geoffrey Hintonit”, vazhdon ai. “Mendoj se duhet ta ngadalësojmë pak, na duhet një marrëveshje ndërkombëtare për të cilën ka precedentë si në sigurinë ajrore ose në traktatin Start për armët bërthamore. Na duhen barriera mbrojtëse, si farë e urtësisë në çdo algoritëm, para se të lejohet të lëshohet, e cila mund të mundësonte mbikëqyrjen dhe një masë kontrolli dhe një buton ‘fikjeje’. Por, për momentin, më intereson si një tërësi krejt e re mjetesh që mund t’i nxisë njerëzit ta konsiderojnë veten kineastë, piktorë, muzikantë, ta eksplorojnë veten në atë mënyrë”.

Me ose pa IA, Gabrieli thotë se mendon se kjo është e vërtetë: “Të jesh këto gjëra është thjesht çështje të ecësh përreth e të thuash: ‘Kjo është ajo që jam’, pastaj t’i përkushtohesh të mësuarit për të. Mund të mësosh më shpejt përmes IA-së – edhe pse nuk i ke mësuar të gjitha aftësitë për të arritur deri aty, mund të kesh shpejt qasje në një pjesë të kënaqësisë së krijimit të gjërave që tingëllojnë vërtet bukur ose ta bësh IA-në të eliminojë disa nga momentet e tua më të këqija. Pra, në planin afatgjatë, si mjet krijues: absolutisht i jashtëzakonshëm. Është sikur të kesh pikturuar bardhezi dhe dikush papritur hedhë paletë ngjyrash duke thënë: ‘Çfarë mund të bësh me këtë’”?

Ndryshe nga shumica, Gabrieli duket se beson vërtet se IA-ja është e aftë të krijojë art të madh. “Varet thjesht prej algoritmeve më të mira. Pra, si do të merremi me këtë si specie? Mendoj se, në planin afatgjatë, nëse nuk mund ta mposhtësh, duhet t’i bashkohesh. Mendoj se do të bëhemi kiborgë, sepse do t’i kemi këto ndërfaqe tru-kompjuter, ku fut diçka në tru që më pas të lejon të komunikosh me kompjuterin … Nuk mendoj se ka ndonjë arsye pse të mos e përdorim trurin tonë për t’u bërë më shumë IA”.

Ai dëshiron të theksojë se “secila prej këtyre gjërave mund të përdoret pozitivisht ose negativisht”. Kohët e fundit pati një bisedë me teknologen amerikane Mary Lou Jepsen, e cila ishte e shqetësuar për pasojat për të drejtat e njeriut të të gjithë idesë së ndërfaqes tru-kompjuter dhe për mundësinë e saj që të përdoret si formë torture. Megjithatë, Gabrieli duket i magjepsur nga ideja: ai ka një koncept për diçka aq të paqartë saqë unë nuk e kuptoj, të quajtur “shfaqja e trurit”, e cila do të “të lejojë të shohësh se si ndikon truri te ne dhe si mund të manipulohet” dhe që do të përfshinte disa nga këngët e oi-së si pjesë të kolonës së saj zanore. “Mund të jetë diçka virtuale ose diçka skenike, ose të dyja, por si funksionon e gjithë kjo dhe cili është rrëfimi, nuk kam asnjë ide”, thotë ai duke ngritur supet. “Jam në atë fazë ku mund të ndiesh njëfarë mase në mjegull dhe po përpiqesh ta përfytyrosh duke u bërë diçka, që mendoj se është mënyra se si shumica e njerëzve i qasen krijimtarisë”.

Ndërkohë, ka plot ide të tjera që i sillen nëpër mend. E intrigon koncepti i një performance virtuale, diku ndërmjet Abba Voyage dhe shfaqjeve “të mrekullueshme dhe frymëzuese” të U2-së në Las Vegas. Ka plan për të bërë një film të bazuar në – albumi konceptual i vitit 1974 që i parapriu largimit të tij nga Genesis: mund mendosh se ishte pak a shumë i pamundur për t’u filmuar, duke qenë se përmban një skenë në të cilën personazhi kryesor bën seks me tri krijesa të ngjashme me gjarpërinj dhe një tjetër në të cilën penisi i tij, i amputuar pak më parë, rrëmbehet nga një korb që po kalon, por Gabrieli duket optimist: ai ka punuar për skenarin me shkrimtarin argjentinas Nicolás Giacobone, i njohur për filmin Digger.

Dhe, ai dëshiron të “gërmojë më thellë” në një tjetër ide të Levinit, “se mund të jesh në gjendje të komunikosh me qelizat dhe t’i bësh të sillen në një mënyrë të caktuar dhe se tingulli mund të jetë një mjet për këtë. Më magjepsin hulumtimet e vetëdijes”, thotë ai, pastaj vazhdon të më tregojë për eksperimente mbi aftësinë e bimëve për të ndier. “Ishte një tip interesant në MIT që mori një bimë dhe e futi në një lloj kutie me një kompjuter me rrota, pastaj e lëvizte burimin e dritës së bimës nëpër dhomë dhe bima thoshte ‘OK’ dhe e lëvizte kutinë për ta ndjekur dritën nëpër dhomë. Po pyesja veten nëse mund ta bëje këtë me një lis. Si një Park Jure, por me bimë në vend të dinozaurëve. Dua të them, të gjitha këto ide janë kaq argëtuese për t’u eksploruar”. /Telegrafi/