Jordania kryen sulm vdekjeprurës në Siri në shenjë hakmarrjeje për sulmin në kishë

Jordania kryen sulm vdekjeprurës në Siri në shenjë hakmarrjeje për sulmin në kishë

Written by

in

Jordania kryen sulm vdekjeprurës në Siri në shenjë hakmarrjeje për sulmin në kishë

Jordania ka kryer sulme ajrore ndaj asaj që ushtria jordaneze i cilësoi si “organizata terroriste” në Siri, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të javës së kaluar në një funeral të krishterë, ku mbetën të vrarë nëntë persona.

Zyrtarët shëndetësorë sirianë njoftuan për mediat shtetërore se nga sulmi në një fshat në provincën jugore të Daraas u vranë pesë persona, mes tyre gra, fëmijë dhe një i moshuar.

Ndërkaq, Jordania bëri të ditur se avionët e saj luftarakë kishin vrarë dhe plagosur “disa terroristë”, pa dhënë detaje të tjera, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv

Jordania deklaroi se sulmi ishte koordinuar me qeverinë siriane, por Siria tha se nuk ishte njoftuar paraprakisht për sulmin e së hënës.

Pas sulmit, autoritetet siriane njoftuan për mbylljen e pikëkalimit kufitar me Jordaninë.

“Vendimi përfshin pezullimin e plotë të qarkullimit të udhëtarëve dhe mallrave në të dyja drejtimet, me qëllim garantimin e sigurisë së udhëtarëve dhe punonjësve në pikëkalimin kufitar”, thuhet në një deklaratë të autoriteteve siriane, të transmetuar nga mediat shtetërore.

Sipas deklaratës, autoritetet siriane kanë hapur kanale të drejtpërdrejta komunikimi me zyrtarët jordanezë dhe kanë nisur hetime gjithëpërfshirëse për të zbardhur rrethanat e plota të sulmit.

Nassib është i vetmi pikëkalim kufitar mes Jordanisë dhe Sirisë për qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave.

Më herët të hënën, zyrtarë të lartë të sigurisë në Jordani njoftuan se forcat e sigurisë kishin arrestuar dy vëllezër dhe kunatin e tyre, të dyshuar për sulmin në kishë.

Drejtoria e Sigurisë Publike e Jordanisë bëri të ditur se të dyshuarit, të cilët i cilësoi si “terroristë”, u gjetën të fshehur në një shtëpi të braktisur në Karak, para agimit.

Ministri i Brendshëm i Jordanisë, Mazen al-Faraya, deklaroi për televizionin e lidhur me shtetin se të dyshuarit ishin shtetas jordanezë dhe se “ishin strehuar në një ndërtesë në një prej fshatrave pranë vendit ku ndodhi sulmi”.

Sulmi me armë ndodhi të premten në një funeral në një kishë ortodokse greke në Karak, ku u vranë nëntë persona dhe u plagosën 34 të tjerë.