
Jude Bellingham ka hyrë në historinë e Ligës së Kampionëve, duke u bërë futbollisti më i ri që arrin kuotën e 60 paraqitjeve në këtë kompeticion.
Mesfushori i Real Madridit e arriti këtë rekord në moshën 23 vjeç e 128 ditë, gjatë përballjes ndaj AEK Athinës në Greqi.
Deri më tani, rekordin e mbante legjenda e Real Madridit, Iker Casillas, i cili kishte regjistruar paraqitjen e tij të 60-të në moshën 23 vjeç e 167 ditë.
Kësisoj, Bellingham e tejkaloi ish-portierin madrilen për 39 ditë, duke vendosur një tjetër rekord në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Anglezi kishte arritur edhe më parë një tjetër sukses të ngjashëm, kur në nëntor të vitit të kaluar u bë futbollisti më i ri që regjistroi 50 paraqitje në Ligën e Kampionëve.
Bellingham debutoi në këtë kompeticion me Borussia Dortmundin në tetor të vitit 2020, kur ishte vetëm 17 vjeç.
Në 60 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, 23 me Dortmundin dhe 37 me Real Madridin, ai ka shënuar 16 gola dhe ka dhuruar 14 asistime.
Me këtë arritje, mesfushori anglez vazhdon të shkruajë historinë në futbollin evropian, duke lënë pas emra të mëdhenj të këtij kompeticioni.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali