
Agit Kabayel ka reaguar për herë të parë pas fitores ndaj boksierit shqiptar Nelson Hysa, në duelin e zhvilluar të shtunën mbrëma në Dyseldorf të Gjermanisë.
Boksieri gjerman e përfundoi përballjen që në raundin e dytë, duke mbrojtur me sukses titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë, sipas WBC-së.
Ndeshja përfundoi pas një dëmtimi të dukshëm në bërryl që pësoi Hysa, ndërsa këndi i tij vendosi të hidhte peshqirin dhe të ndërpriste duelin.
Pas triumfit, Kabayel u shpreh i kënaqur me rezultatin, duke theksuar se fitorja ishte rezultat i përgatitjeve intensive dhe punës së madhe.
“Sigurisht që ishte e shkurtër, por unë dhashë gjithçka dhe kjo është ajo që ndodh kur punon shumë. E dija që do të ishte një natë e mirë. Jam stërvitur shumë, kam punuar jashtëzakonisht fort për këtë ndeshje dhe sonte fituam”, deklaroi Kabayel.
Ndërkohë, për Nelson Hysën kjo ishte një mundësi historike për t’u bërë shqiptari i parë që fiton titullin botëror në kategorinë e rëndë.
Shqiptari hyri në ring me një bilanc prej 25 fitoresh dhe asnjë humbjeje, por ëndrra e tij për titullin botëror u ndërpre në raundin e dytë të përballjes në Dyseldorf.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali