
Kafja e përditshme mund të ketë ndikim jo vetëm në energjinë dhe zgjimin në mëngjes, por edhe në shëndetin e zorrëve, humorin dhe disa funksione të trurit. Këtë e sugjeron një studim i ri i realizuar nga University College Cork në Irlandë, i cili ka gjetur se si kafja me kafeinë, ashtu edhe ajo pa kafeinë, mund të sjellin përfitime në këto fusha.
Sipas studimit, të cilit i është referuar mediumi Fox News, në hulumtim morën pjesë 62 persona të shëndetshëm, prej të cilëve 31 konsumonin rregullisht kafe, ndërsa 31 të tjerë nuk e kishin pjesë të rutinës së tyre të përditshme.
Pjesëmarrësit që konsumonin kafe zakonisht pinin nga tri deri në pesë filxhanë në ditë. Pas një periudhe dyjavore pa kafe, ata rifilluan konsumimin e saj, me ose pa kafeinë, për tri javë.
Rezultatet treguan se pas rifillimit të konsumimit të kafesë, pjesëmarrësit raportuan ulje të stresit, simptomave të depresionit dhe impulsivitetit.
Megjithatë, studiuesit vunë re edhe dallime në efektet e dy llojeve të kafesë. Personat që konsumuan kafe me kafeinë raportuan më pak ankth dhe treguan përmirësime në testet e përqendrimit.
Ndërkaq, pjesëmarrësit që konsumuan kafe pa kafeinë arritën rezultate më të mira në testet e kujtesës episodike, e cila lidhet me aftësinë për të kujtuar ngjarje dhe përvoja personale.
Hulumtimi evidentoi gjithashtu ndryshime në disa baktere të zorrëve, duke sugjeruar se konsumimi i kafesë mund të ndikojë në lidhjen mes sistemit tretës dhe trurit.
“Kafja është më shumë sesa thjesht kafeinë. Ajo është një përbërës kompleks i dietës që ndërvepron me mikrobet e zorrëve, metabolizmin dhe madje edhe mirëqenien emocionale”, ka shpjeguar autori i studimit, John Cryan.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes, pasi studimi përfshiu një numër të vogël pjesëmarrësish dhe nuk dëshmon se kafja është shkaku i drejtpërdrejtë i përmirësimeve të vërejtura.
Psikologia klinike Rebecca Steele ka theksuar se rezultatet më të mira në testet e kujtesës dhe përqendrimit nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht përmirësime afatgjata në jetën e përditshme.
Ajo ka shtuar se ulja e stresit dhe e simptomave të depresionit, të raportuara nga pjesëmarrësit, nuk duhet të interpretohet si dëshmi se kafja mund të trajtojë depresionin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali