Ish-fituesi i Topit të Artë, Kaka, ka ndezur një debat të madh në botën e futbollit pasi prezantoi 11-shen e tij ideale të të gjitha kohërave. Vëmendjen më të madhe nuk e morën emrat e përzgjedhur, por mungesa e bujshme e Lionel Messi, si dhe deklarata therëse e brazilianit për ta arsyetuar këtë vendim.
I pyetur se pse jashtë kësaj liste mbeti një nga lojtarët më të trofeshëm të historisë, që numëron 8 Topa të Artë dhe një Kupë Bote, ish-ylli i Milan dhe Real Madrid dha një përgjigje që u shpërnda menjëherë në rrjetet sociale: “Pse nuk është Messi? Sepse nuk kam zgjedhur as Suarez, Alba, Busquets apo Xavi. Messi nuk mund të luajë pa ata,” u shpreh Kaka.
Deklarata e tij la të kuptohej se ai dëshironte të ndërtonte një formacion pa u kushtëzuar nga bërthama e gjeneratës së artë të Barcelonës, por tifozët e argjentinasit e kanë parë këtë si një “provokim” dhe nënçmim ndaj aftësive individuale të Messit.
Formacioni Ideal i Kaka (4-3-3)
Në përzgjedhjen e tij, Kaka ka preferuar kryesisht ish-shokët e skuadrës te Milan dhe legjendat braziliane, duke shtuar vetëm pak emra të jashtëzakonshëm të futbollit europian.
• Portier: Dida
• Mbrojtje: Cafu, Alessandro Nesta, Paolo Maldini, Roberto Carlos
• Mesfushë: Andres Iniesta, Andrea Pirlo, Zinedine Zidane
• Sulm: Cristiano Ronaldo, Ronaldo Nazario, Ronaldinho
Në këtë 11-she bie në sy një sulm i frikshëm që ndërthur teknikën e Ronaldinhos, instinktin vrasës të “Fenomenit” Ronaldo dhe fuqinë shënuese të Cristiano Ronaldos.
Edhe pse la jashtë Messin, Kaka përfshiu në mesfushë një tjetër legjendë të Barcelonës, Andres Iniesta, krahas maestros Pirlo dhe Zinedine Zidane.
Vetë Kaka ka qenë një nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij, duke fituar Ligën e Kampionëve me Milan në vitin 2007 dhe Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002. /Telegrafi/