
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur për pritjet dhe kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndaj pushtetit të ri në Serbi, duke theksuar se ndryshimi i qasjes ndaj tyre duhet të dëshmohet përmes veprimeve konkrete.
Në përgjigjet e tij për Gazetën Sinjali, Kamberi ka thënë se shqiptarët presin barazi para ligjit, respektim të identitetit kombëtar dhe mundësi për përfaqësim të barabartë në institucionet shtetërore.
Ai ka theksuar se përvoja shumëvjeçare i bën shqiptarët të kujdesshëm ndaj premtimeve politike, pasi problemet me të cilat përballen vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Ndër shqetësimet kryesore, Kamberi ka përmendur pasivizimin e adresave, nënpërfaqësimin në institucionet shtetërore, mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë, vështirësitë në arsim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si dhe mungesën e investimeve dhe perspektivës ekonomike.
Ai ka theksuar se shqiptarët nuk do ta paragjykojnë pushtetin e ri, por as nuk do t’i japin besim pa parë rezultate konkrete.
Sa u përket kërkesave, Kamberi ka renditur zbatimin e Planit shtatëpikësh të vitit 2013 dhe Planit Aksional të vitit 2022, ndalimin e pasivizimit të adresave, përfaqësimin proporcional në polici, gjyqësor dhe administratë, si dhe zgjidhjen e çështjes së diplomave të Kosovës.
Po ashtu, ai ka kërkuar respektimin e të drejtave arsimore, gjuhës dhe simboleve kombëtare shqiptare, si dhe investime në zhvillimin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kamberi ka bërë të ditur se janë të hapur për dialog dhe bashkëpunim institucional, por ka theksuar se kjo nuk nënkupton heqje dorë nga të drejtat e shqiptarëve.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për premtime të reja, por për një politikë të re të përgjegjësisë dhe zbatimit të detyrimeve të mëhershme”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka shtuar se integrimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë nuk duhet të nënkuptojë asimilim apo heqje dorë nga identiteti kombëtar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali