Dogana gjermane ka zbuluar rreth 1.3 milionë cigare të kontrabanduara në një kamion që vinte nga Bullgaria.
Cigaret ishin fshehur mes mallrave të ligjshme që transportoheshin me automjetin, shkruajnë mediat.
Kamioni u kontrollua më 13 tetor në një zonë pushimi përgjatë autostradës A3, pranë qytetit Rodgau, në landin e Hesenit.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë përdorën një pajisje të madhe me rreze X, përmes së cilës zbuluan parregullsi në ngarkesën e automjetit.
Pas kontrollit më të hollësishëm, ata gjetën rreth 1.3 milionë cigare të markave të ndryshme, të cilat nuk kishin pullat tatimore gjermane dhe nuk po transportoheshin sipas rregullave në fuqi.
Sipas autoriteteve, kontrabanda ka shkaktuar një dëm tatimor prej më shumë se 270 mijë eurosh.
Shoferi i kamionit, një shtetas bullgar 51-vjeçar, u arrestua përkohësisht dhe ndaj tij nisi një procedurë hetimore nën dyshimin për evazion fiskal. Pas marrjes në pyetje, ai u la i lirë me urdhër të prokurorisë përgjegjëse për rastin.
Cigaret e sekuestruara u transportuan në një vend të sigurt me ndihmën e Agjencisë Federale Gjermane për Ndihmë Teknike (THW).
Hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Darmstadtit dhe Zyra e Hetimeve Doganore në Frankfurt, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht rastin dhe rrethanat e kontrabandës. /Telegrafi/