Kandidatët shqiptarë në zgjedhjet e mesmandatit 2026 në SHBA – kush fitoi e kush humbi?

Kandidatët shqiptarë në zgjedhjet e mesmandatit 2026 në SHBA – kush fitoi e kush humbi?

Written by

in

Tetë kandidatë me prejardhje shqiptare garuan në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në gara për poste në nivel lokal, shtetëror dhe federal, shkruan Telegrafi.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara deri më 6 nëntor, tre prej tyre kanë dalë fitues: Joe Hoxha në Connecticut, Vedat Gashi dhe Emiljana Ulaj në Westchester County, New York. Pesë kandidatët e tjerë nuk arritën të sigurojnë fitoren në garat përkatëse.

Në Connecticut, Joe Hoxha fiton mandatin e tretë me 164 vota diferencë

Hoxha, republikan i lindur në Tiranë, fitoi garën për Dhomën e Përfaqësuesve të këtij shteti në Distriktin e 78-të, duke siguruar mandatin e tretë.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara, Hoxha mori 4,585 vota, ose 50.91 për qind, ndërsa kundërkandidati demokrat Nate Brown siguroi 4,421 vota, ose 49.09 për qind. Diferenca mes tyre ishte vetëm 164 vota. Fitorja e Hoxhës është raportuar edhe nga mediat lokale, ndërsa rezultatet mbeten në pritje të certifikimit zyrtar.

Rezultatet e garës në Distriktin 78 | Portali zyrtar i zgjedhjeve në Connecticut

Në New York, Vedat Gashi fiton bindshëm në Distriktin e 4-t të Westchester County

Vedat Gashi, demokrat i lindur në Kosovë, fitoi garën për legjislaturën e Westchester County në Distriktin e 4-t.

Sipas përditësimit të rezultateve paraprake të publikuara nga autoritetet zgjedhore të qarkut më 6 nëntor, Gashi mori 16,142 vota, ose 60.70 për qind. Kundërkandidati republikan John J. Campobasso siguroi 10,435 vota, ose 39.24 për qind. Gashi kryeson me një diferencë prej 5,707 votash.

Rezultatet e Westchester County – Distrikti i 4-t

Në New York, Emiljana Ulaj fiton në Distriktin e 9-të të Westchester County

Ulaj, demokrate me prejardhje shqiptare, fitoi garën për legjislaturën e qarkut në Distriktin e 9-të.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara më 6 nëntor, Ulaj siguroi 14,560 vota, ose 71.69 për qind. Kundërkandidati republikan Gaetano V. Ventrone mori 5,718 vota, ose 28.15 për qind. Kështu, Ulaj arriti një fitore me diferencë të konsiderueshme.

Rezultatet e Westchester County – Distrikti i 9-të

Në New York, Diamant Hysenaj humb garën për Kongres në Distriktin e 14-të

Diamant Hysenaj, kandidat republikan me prejardhje nga Kosova, garoi për Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Distriktin e 14-të, kundër demokrates Alexandria Ocasio-Cortez.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Bordi Zgjedhor i Shtetit të New York-ut, Hysenaj mori 29,505 vota, ose 20.97 për qind, ndërsa Ocasio-Cortez siguroi 107,129 vota, ose 76.14 për qind. Kështu, Hysenaj nuk arriti ta përmbysë epërsinë e kundërkandidates demokrate.

Rezultatet e Bordit Zgjedhor të New York-ut – Distrikti i 14-të

Në New York, Shpëtim Qorraj humb garën për Asamblenë e Shtetit në Distriktin e 64-t

Shpëtim (Tim) Qorraj, kandidat demokrat me prejardhje nga Kosova, garoi për Asamblenë e Shtetit në Distriktin e 64-t, kundër republikanit Michael Tannousis, përcjell Telegrafi.

Sipas rezultateve paraprake të Bordit Zgjedhor të New York-ut, Qorraj mori 14,276 vota, ose 38.60 për qind, ndërsa Tannousis siguroi 21,972 vota, ose 59.41 për qind. Kandidati shqiptar nuk arriti të fitojë mandatin në këtë garë.

Rezultatet e Bordit Zgjedhor të New York-ut – Distrikti i 64-t

Në Connecticut, Peter Lumaj humb garën për sekretar të shtetit

Peter Lumaj, republikan i lindur në Shqipëri, kandidoi për postin e sekretarit të shtetit, por nuk arriti të fitojë përballë kandidates demokrate Stephanie Thomas.

Sipas rezultateve të publikuara nga NBC Connecticut, me rreth 98.2 për qind të votave të pritshme të numëruara, Thomas mori 801,397 vota, ose 63.3 për qind, ndërsa Lumaj siguroi 464,856 vota, ose 36.7 për qind. Rezultati u raportua si fitore e projektuar për Thomas.

Rezultatet e zgjedhjeve në Connecticut – NBC Connecticut

Në Connecticut, Alma Sarelli humb garën për Senatin e Shtetit në Distriktin e 26-të

Sarelli (Shkreli), republikane me origjinë nga Shkodra, garoi për Senatin e Shtetit në Distriktin e 26-të, përballë demokrates Samantha Nestor.

Sipas rezultateve të publikuara nga Ballotpedia, Nestor fitoi me 28,572 vota, ose 65.4 për qind, ndërsa Sarelli mori 15,114 vota, ose 34.6 për qind. Kështu, kandidatja shqiptare nuk arriti të sigurojë ulësen në Senatin e Connecticut-it.

Rezultatet e garës në Distriktin e 26-të

Në Michigan, Edlira Sako humb garën për Senatin e Shtetit në Distriktin e 24-t

Edlira Sako, demokrate nga Lushnja, kandidoi për Senatin e Shtetit në Distriktin e 24-t, ku u përball me republikanin Douglas Wozniak.

Sipas rezultateve të publikuara nga WDIV për Macomb County, me të gjitha 66 qendrat e votimit të raportuara, Wozniak mori 80,324 vota, ose rreth 60 për qind, ndërsa Sako siguroi 52,850 vota, ose rreth 40 për qind. Kandidatja shqiptare nuk arriti të fitojë garën.

Rezultatet e zgjedhjeve në Macomb County – Distrikti i 24-t

Të dhënat e paraqitura në këtë artikull pasqyrojnë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 3 nëntorit, pasi në disa shtete dhe qarqe amerikane numërimi dhe verifikimi i votave nuk ka përfunduar ende. Rezultatet zyrtare do të bëhen të ditura pas përmbylljes së këtij procesi dhe certifikimit nga autoritetet zgjedhore, çka lë të hapur mundësinë që shifrat dhe përqindjet e raportuara të pësojnë ndryshime./Telegrafi/