Kapen tre persona, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro

Kapen tre persona, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro

Written by

in

Kapen tre persona, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro

Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash, në një aksion të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Sipas komunikatës së përbashkët të këtyre institucioneve, aksioni është realizuar të mërkurën, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, janë gjetur 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin.

Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët i kanë mashtruar duke i nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë Speciale, përmes këtyre veprimeve, të dyshuarit kanë shkaktuar dëme në pasurinë e personave të kontaktuar.

Vlera e pasurisë së sekuestruar, sipas njoftimit, kalon një milion euro.

Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.