Një kaskader profesionist nga Polonia ka përshkuar 173 metra me një zip-line, ndërsa i gjithë trupi i tij ishte i përfshirë nga flakët, duke tentuar të vendosë një rekord të ri Guinness.
Stanisław Madej, 43 vjeç, i njohur për pjesëmarrjen në serialin televiziv The Witcher dhe filmin Paradise, realizoi këtë sfidë më 3 tetor në qytetin Łódź të Polonisë, transmeton Telegrafi.
Ai përshkoi saktësisht 193 metra, duke synuar rekordin për distancën më të madhe të përshkuar me zip-line gjatë kohës kur i gjithë trupi është në flakë.
Madej tha për Guinness World Records se çdo kontakt me zjarrin është i rrezikshëm, pasi ai është një forcë e paparashikueshme.
“Personalisht, besoj se çdo kontakt me zjarrin është i rrezikshëm. Ai është një forcë elementare që shpesh është e paparashikueshme. Përvoja jonë na ndihmon të reagojmë paraprakisht ndaj sjelljes së tij të paqëndrueshme”, u shpreh ai.
Ai theksoi se një situatë që duket nën kontroll mund të shndërrohet shumë shpejt në rrezik serioz, ndaj kërkohen përqendrim, vetëdije dhe respekt i madh ndaj zjarrit.
Sfidën e realizoi për të shënuar 10-vjetorin e zip-line-it “Tyrolka w Manufakturze”, në kompleksin Manufaktura.
“Për të shënuar 10-vjetorin dhe për ta lidhur këtë ngjarje me profesionin tim, dëshiroja të lija gjurmë në këtë vend përmes një arritjeje të jashtëzakonshme. Tani, duke e parë me më shumë qetësi, më vijnë ndër mend ide vërtet shpërthyese”, tha Madej.
Gjatë sfidës, ai ishte i pajisur me veshje të posaçme mbrojtëse dhe trupi i ishte mbuluar me një xhel të veçantë me bazë uji, i cili e mbronte nga nxehtësia e tepërt. Ekipi mbështetës i shoi flakët pasi ai përfundoi përshkimin.
Madej tha se kishte këmbëngulur që ta realizonte sfidën me fytyrën të pambuluar, pa maskë dhe vetëm me shtresën mbrojtëse të xhelit, pasi besonte se ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj zjarrit e bënte arritjen edhe më domethënëse. /Telegrafi/