Katër shtete të BE-së kundërshtojnë Merzin për ndihmën ndaj Ukrainës

Katër shtete të BE-së kundërshtojnë Merzin për ndihmën ndaj Ukrainës

Written by

in

Udhëheqësit e Sllovakisë, Çekisë, Hungarisë dhe Bullgarisë kanë kundërshtuar kërkesën e kancelarit gjerman Friedrich Merz për ta kushtëzuar miratimin e buxhetit të ardhshëm të Bashkimit Evropian me ndihmën e re financiare për Ukrainën. Kryeministri sllovak Robert Fico e ka cilësuar këtë veprim si “shantazh” dhe ka paralajmëruar përdorimin e vetos.

Sipas Euronews, Fico e kundërshtoi kërkesën e Merzit gjatë një takimi me homologun çek, Andrej Babiš, në Bratislavë.

“Ajo që po bën kancelari federal është një shembull klasik i shantazhit dhe unë e refuzoj. Ne jemi një vend sovran. Ne jemi Republika Sllovake. Kemi pikëpamjet tona”, deklaroi Fico.

Ai theksoi se Sllovakia ka të njëjtën të drejtë vetoje si Gjermania.

Ndërkohë, kryeministri çek Andrej Babiš tha se buxheti i propozuar i BE-së tashmë parasheh 100 miliardë euro për Ukrainën. Megjithatë, këto fonde nuk do të jenë të disponueshme deri në vitin 2028, ndërsa Kievi përballet me mungesë prej 70 miliardë eurosh vitin e ardhshëm.

Merz, përmes një letre drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ka deklaruar se ndihma e re për Ukrainën është “parakusht thelbësor” për miratimin e buxhetit të ardhshëm të BE-së.

Brukseli ka premtuar të mbulojë rreth 45 miliardë euro nga mungesa financiare e Ukrainës, ndërsa huamarrja e përbashkët po shqyrtohet si alternativë kryesore.

Edhe kryeministri hungarez Péter Magyar kundërshtoi lidhjen e buxhetit të BE-së me ndihmën për Ukrainën, duke theksuar se Hungaria nuk mund të marrë përsipër borxhe të reja për shkak të deficitit të lartë buxhetor.

“Do të gjejmë një zgjidhje për buxhetin e BE-së. Jam i sigurt për këtë”, tha Magyar pas takimit me Merzin në Berlin.

Kryeministri bullgar Rumen Radev kërkoi gjithashtu përjashtimin e vendit të tij nga kreditë e ardhshme për Ukrainën, duke theksuar se Bullgaria do të vazhdojë mbështetjen përmes formave të tjera, përfshirë furnizimet me energji.

Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria janë pjesë e grupit “Miqtë e Kohezionit”, i cili synon mbrojtjen e fondeve të kohezionit dhe bujqësisë në buxhetin e ardhshëm të BE-së.

Nga ana tjetër, Merz këmbënguli se barra e mbështetjes për Ukrainën duhet të ndahet në mënyrë më të drejtë mes shteteve anëtare.

“Politika ndaj Ukrainës duhet të përfshihet plotësisht në buxhetin e Bashkimit Evropian”, deklaroi kancelari gjerman.

Burimi: RTKLive