Katër sjellje tek fëmijët që mund të tregojnë se kanë zhvilluar një lidhje ankthioze

Katër sjellje tek fëmijët që mund të tregojnë se kanë zhvilluar një lidhje ankthioze

Written by

in

Disa sjellje të fëmijëve, si frika e fortë nga ndarja prej prindërve, vetëbesimi i ulët dhe reagimet e tepruara ndaj kritikave, mund të jenë shenja të një lidhjeje ankthioze.

Ky model i lidhjes emocionale mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët krijojnë marrëdhënie dhe përjetojnë sigurinë emocionale.

Sipas psikologëve, kjo gjendje mund të zhvillohet kur prindërit nuk janë gjithmonë të qëndrueshëm në mënyrën se si u përgjigjen nevojave emocionale të fëmijëve.

Kur herë tregojnë vëmendje dhe afërsi, ndërsa herë të tjera janë emocionalisht të largët, fëmijët mund të krijojnë pasiguri dhe të mos dinë çfarë të presin prej tyre.

Sipas ekspertëve të cituar nga Parents, janë katër sjellje që mund të tregojnë një lidhje të tillë. Megjithatë, prania e një ose dy prej tyre nuk do të thotë domosdoshmërisht se fëmija ka zhvilluar një lidhje ankthioze.

1. Ka vështirësi të ndahet nga prindërit

Fëmijët mund të përjetojnë frikë të madhe kur duhet të qëndrojnë larg prindërve. Shkuarja në çerdhe, shkollë apo kalimi i kohës me miqtë mund të shoqërohet me të qara dhe shqetësim të vazhdueshëm.

Ankthi i ndarjes është i zakonshëm te fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç. Megjithatë, duhet kushtuar vëmendje nëse kjo frikë vazhdon për një kohë të gjatë dhe pengon aktivitetet e tyre të përditshme.

2. Ka vetëbesim të ulët

Fëmijët me lidhje ankthioze mund të dyshojnë vazhdimisht në aftësitë e tyre dhe të kërkojnë miratim nga prindërit për çdo veprim.

Ata mund të kenë frikë të bëjnë gabime, të shmangin sfidat e reja ose të mos tregojnë kur kanë probleme, sepse mendojnë se mund të fajësohen. Mungesa e qëndrueshmërisë emocionale nga prindërit mund ta përforcojë këtë pasiguri.

3. Reagon tepër ndaj kritikave

Kritikat mund të jenë veçanërisht të vështira për këta fëmijë. Ata mund t’i interpretojnë qortimet si shenjë se prindërit nuk i duan më ose se mund t’i braktisin.

Kjo frikë mund t’i bëjë të shmangin gabimet, të kenë vështirësi në krijimin e miqësive dhe të mos shprehin hapur nevojat e tyre. Disa studime kanë lidhur lidhjen ankthioze me rrezik më të lartë të ankthit social në të ardhmen.

4. Ka shpërthime të forta emocionale

Të qarat, zemërimi dhe vështirësitë për të kontrolluar emocionet mund të jenë më të shpeshta te fëmijët që përjetojnë pasiguri emocionale.

Ata mund të reagojnë shumë fort edhe ndaj problemeve të vogla, të kenë vështirësi në përballimin e zhgënjimit ose të mos arrijnë të shpjegojnë se çfarë i shqetëson.

Fëmijë të tillë mund të shfaqin reagime veçanërisht të forta kur ndihen të refuzuar ose kritikohen, shpjegojnë psikologët.

Si mund t’i ndihmojnë prindërit?

Psikologët rekomandojnë që prindërit të krijojnë një ambient të qëndrueshëm dhe të sigurt emocionalisht për fëmijët.

Ndër këshillat kryesore janë krijimi i një rutine të përditshme, inkurajimi i lojës dhe pavarësisë, dëgjimi i ndjenjave të fëmijëve dhe vlerësimi i përpjekjeve të tyre.

Gjithashtu, ushtrimet e frymëmarrjes, vizatimi dhe teknikat e thjeshta që përfshijnë pesë shqisat mund t’i ndihmojnë fëmijët të qetësohen dhe të menaxhojnë emocionet.

Nëse frika nga ndarja, pasiguria ose shpërthimet emocionale ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme të fëmijës, këshillohet konsultimi me një pediatër ose psikolog për fëmijë. /Telegrafi/