KDI: Llogaridhënia publike duhet të bëhet standard, jo të pengohet nga vetë deputetët

KDI: Llogaridhënia publike duhet të bëhet standard, jo të pengohet nga vetë deputetët

Written by

in

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësimin për siç thonë mosraportimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, që po cenon ushtrimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve publike.

KDI thekson se kjo çështje është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh raportimet për mosfunksionimin e organit kolegjial të Autoritetit të Konkurrencës që nga prilli i vitit 2025, si dhe nevojën për sqarimin e pretendimeve lidhur me ligjshmërinë dhe funksionimin e këtij institucioni.

“Çështja e funksionimit të Autoritetit të Konkurrencës u ngrit në mbledhjen e 20 tetorit 2026 të Komisionit, për çka edhe raportimi i kryetares së këtij institucioni Neime Binaku-Isufi u vendos në rend dite për një javë me vonë, më 27 tetor me miratimin e anëtarëve të Komisionit. Megjithatë, ajo me 23 tetor e njoftoi Komisionin se nuk mund të merrte pjesë dhe raportimi u shty.

Komisioni tentoi të mblidhet një javë pas, më 3 nëntor, mirëpo mbledhja dështoi për mungesë kuorumi, kësaj radhe pasi të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje munguan. Ndërkaq, një javë më vonë, në mbledhjen e 10 nëntorit, për të raportuar në Komision erdhën dy anëtare të Autoritetit, por jo edhe kryetarja. Për shkak të mospjesëmarrjes së kryeteres së Autoritetit në mbledhje, deputetët e VV-së propozuan largimin e kësaj pike nga rendi i ditës ose shtyrjen e saj, propozim që nuk mori mbështetjen e opozitës”, thuhet në njoftim.

KDI vlerëson se mos raportimi i kryetares Binaku-Isufi para komisionit dhe veprimet e anëtarëve të VV-së për të pamundësuar raportimin e institucioneve publike e cenojnë seriozisht llogaridhënien publike, për çka të gjithë deputetët e të gjitha forcave politike duhet të angazhohen maksimalisht.

“Deputetët janë aty për të kërkuar dhe garantuar llogaridhënie për të gjitha çështjet që prekin interesin publik. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 65, paragrafin 9, përcakton se Kuvendi mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike që, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit”, thuhet në njoftim.

KDI u bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të përmbushin përgjegjësitë e tyre institucionale, dhe të mos lejojnë që interesat politike të pengojnë mbikëqyrjen.

“Njëkohësisht, kërkon që Komisioni për Ekonomi ta rikthejë sa më parë në rend dite raportimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe të sigurojë trajtimin e çështjeve të ngritura. Mbikëqyrja parlamentare nuk është çështje e vullnetit politik të shumicës, por përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit. Institucionet publike kanë detyrim të japin llogari, ndërsa Kuvendi ka përgjegjësi ta kërkojë dhe ta ushtrojë këtë mbikëqyrje”, thuhet tutje. /Telegrafi/