KDI: Reforma në drejtësi pa rezultate konkrete

KDI: Reforma në drejtësi pa rezultate konkrete

Written by

in

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se reforma në drejtësi gjatë periudhës janar–qershor 2026 ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete, pasi deri më 30 qershor asnjë projektligj i pakos së drejtësisë nuk ishte miratuar.

Gjatë prezantimit të gjetjeve të monitorimit, Vullnet Bugaqki nga KDI tha se Projektligji për Byronë kishte kaluar vetëm në lexim të parë, ndërsa procesi i Vettingut nuk kishte shënuar rezultate konkrete.

“Ky raport vlerëson se reforma në drejtësi për këtë periudhë kohore ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete. Deri më 30 qershor 2026, asnjë nga projektligjet e pakos së drejtësisë nuk është miratuar”, tha Bugaqki.

Ai evidentoi edhe mangësi në transparencën e konsultimeve publike, duke theksuar se Ministria nuk kishte arsyetuar refuzimin e rekomandimeve dhe komenteve të pranuara gjatë këtij procesi.

Bugaqki theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe parandalimin e ndikimit politik.

“Raporti nuk ka identifikuar se ekzistojnë prova të qarta që mbështesin përfundimin se këto projektligje janë hartuar ose nën ndikimin politik. Megjithatë, raporti evidenton rreziqe strukturore që kërkojnë garanci më të qarta kundër ndërhyrjeve ekzekutive dhe legjislative te institucionet e drejtësisë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Florent Spahija nga KDI u ndal te ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili, sipas tij, nga 30 anëtarë që kishte një vit më parë, tashmë ka mbetur me shtatë.

“Ajo çfarë ka ndodhur, KPK-ja nga 30 anëtarë që kishte një vit më herët, tashmë e kemi me shtatë anëtarë”, tha Spahija.

Ai shtoi se përzgjedhja e disa anëtarëve nga Kuvendi ka ngritur shqetësime për ndikim të mundshëm politik, ndonëse ligji i ri parasheh mekanizma për parandalimin e tij.

Spahija përmendi edhe vështirësitë e para në funksionimin e KPK-së, përfshirë dështimin e mbledhjeve për shkak të mungesës së kuorumit dhe kontestimin në gjykatë të zgjedhjeve të anëtarëve prokurorë.

“Mbledhjen e parë, vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës në janar dhe në shkurt kanë dështuar në mungesë kuorumi. Zgjedhjet të cilat janë bërë në atë kohë për anëtarë prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë kontestuar në gjykatë”, deklaroi ai.

Një tjetër çështje e ngritur nga KDI ishte kostoja financiare e reformës në drejtësi. Sipas Spahijës, vetëm për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nevojiten së paku 1.2 milionë euro.

“Analiza jonë del se së paku 1.2 milionë euro do t’i nevojiten Byrosë vetëm për themelimin e saj, pa përmendur pagesat e tjera”, tha Spahija.

Burimi: Dukagjini